Politika 32-vjetori i PD në Durrës, Berisha: Sot monizmi më i keq se...

32-vjetori i PD në Durrës, Berisha: Sot monizmi më i keq se në ‘91. Jemi në revolucion të dytë

Shqipëria ishte përcaktuar të mbetej Kuba e Adriatikut, të mbetej fener ndriçues i socializmit shkatërrimtar, por revolucioni demokratik u zhvillua pa mbështetjen e ndërkombëtarëve. Kështu iu drejtua kreu i PD-së Sali Berisha demokratëve në ceremoninë e 32 vjetorit të themelimit të PD në Durrës, teksa vlerësoi rolin e ambasadori hungarez në Tiranë, i vetmi sipas tij që mbështeti kryengritjen e shqiptarëve në atë kohë.

“Themelimi i PD dhe vendosja e saj në krye, në udhëheqje të lëvizjes antikomunist, ishte një zhvillim i jashtëzakonshëm, për Shqipërinë dhe shqiptarët. Cilido që rikthehet në atë kohë në memorien e tij, cilido që lexon sot për atë kohë, do të gjente se Shqipëria ishte përcaktuar të mbetej Kuba e Adriatikut, të mbetej fener ndriçues i socializmit shkatërrimtar. Më 2 korrik, mijëra të rinj, me guxim epik, rrëzuan Murin e Berlinit në Tiranë. Por, në atë kryengritje paqësore, njeriu që luajti rol më kryesor ishte diplomati që kryente funksionet e ambasadorit gjerman, Verner Dol. Ai shkruan se qeveritë nuk ishin dakord, Shqipëria ishte parashikuar të mbetej siç ishte. Natyrisht ai nuk dëgjoi qeveritë, ai ishte një diplomat i madh, që bëri gjithçka që shqiptarët t’i mbështesë në atë kryengritje. Ju solla këtë episod për të treguar se në çfarë shkalle të mesme ishte izolimi i shqiptarëve dhe se çfarë rëndësie jetike pati revolucioni i udhëhequr nga PD”, tha Berisha.

Sipas tij revolucioni nuk u ndal edhe  pse u zhvillua në kushtet e asnjë lloj mbështetjeje ndërkombëtare.

“Ky revolucioni ishte i fundit në revolucionet e vendeve komuniste, por përsëri u zhvillua në kushtet e asnjë lloj mbështetje ndërkombëtare. Në dhjetor të vitit 1990, ambasadat ishin të mbyllura se po meremetoheshin. Ishte vetëm një ambasador, ai i Hungarisë. Ne kishim vetëm idealet tona demokratike, vuajtjet e tmerrshme të të përndjekurve dhe të burgosurve politikë. Por këto nuk penguan që të ngriheshim fuqishëm ndaj një regjimi që ishte i dobësuar, por përsëri siç mund ta dini shumë prej jush, vriste pa mëshirë, të rinjtë në kufijtë e Shqipërisë. Jo vetëm i vriste, por u kthye në praktikat e viteve ’50, ku zvarriste kufomat e viktimave për të ushtruar terror te qytetarët. Për të dëshmuar fytyrën e vërtetë. Por revolucioni ynë nuk ndalet. Me një vendosmëri absolute, demokratët e Durrësit dhe mbarë Shqipërisë, vazhduan betejën e tyre, derisa përzunë me votën e lirë, diktaturën më staliniste të Europës”.

Por sot, theksoi Berisha, jemi në një monizëm më të fuqishëm se ai i vitit ‘91, që ushtron të gjitha llojet e dhunës, përfshirë edhe atë teknologjike.

“Po sot, ku jemi? Sot Durrësi dhe Shqipëria janë 32 vite larg nga ajo periudhë, por përsëri jemi në një monizëm absolutisht më të fuqishëm se i vitit 1991. Sot jemi në një monizëm, i cili ushtron mbi qytetarët shqiptarë të gjitha llojet e dhunës, përfshi edhe dhunën e teknologjive më moderne. Sot jemi në një monist që vret çdo ditë shpresën e të rinjve. Sot shqiptarët janë njerëzit më shpresë-vrarë, se e drejta nuk ekziston për ta, se ligji nuk ekziston, se pasuritë publike janë një mallkim, se fondet dhe taksat e tyre vidhen e vidhen. Se trajtohen në mënyrën më depersonalizuese”.

Ndaj, theksoi kreu demokrat sot PD është në një revolucion të dytë për të përmbysur këtë monizëm. Ai ftoi demokratët që të punojnë për fitoren e Igli Carës në bashkinë e Durrësit.

“Jemi në një revolucion të dytë. Kemi lirinë dhe idealet tona. Si misionarë, ne jemi të pamposhtur. Të vetmit që i hyjnë detit në këmbë dhe e kalojnë janë misionarët dhe ne të tillë jemi. Sot na duhet më shumë se kurrë, të jemi në protestë, të jemi në fushatë, të jemi kudo. Të vazhdojmë betejën tonë për të përmbysur këtë monizëm të urryer të Edi Ramës. Asgjë nuk na ndalon ne. Sot jemi më të fuqishëm se kurrë. Ndaj sot ju ftoj që të vazhdojmë këtë betejë të një rëndësie të jashtëzakonshme për kombin dhe vendin. Të punojmë për fitoren e Igli Carës, për fitoren e Durrësit. Ndaj të bashkohemi dhe të vazhdojmë betejën tonë. Të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me qytetarët.”