Greqia ka miratuar dekretin që i jep mundësinë shtetit grek të zgjerohet me 12 milje në detin Jon.
Gazeta Protothema shkruan se me këtë vendim shteti helen i jep një mesazh Turqisë pas dritës jeshile nga Këshilli i Shtetit për zgjerimin e ujërave territoriale nga 6 deri në 12 milje që nga ishujt e Jonit deri në Gjirin Tainaro në Peloponez.
Vendimin e saj, Greqia e justifikon me Konventën e OKB-së në lidhje me ligjin e detit. Sipas Protothemës, zgjerimi i ujërave territoriale në përputhje me ligjin e detit, përkthehet automatikisht në Zonë Ekskluzive Ekonomike ku një shtet ka të drejtën që të eksplorojë resurset nënujore.
Në të njëjtën kohë, ky dekret i hap rrugë dërgimit të çështjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
“Zgjidhja e mosmarrëveshjeve për caktimin e zonave detare është diçka për të cilën është rënë dakord gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm, Nikos Dendias, në takimin që pati me kryeministrin Edi Rama”, thotë Protothema.
Ndër të tjera media greke shkruan se marrëveshja e 2009-ës u hodh poshtë nga Gjykata e Kushtetuese e Shqipërisë.