Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka deklaruar këtë të shtunë se ngritja e Gjykatës Kushtetuese është një lajm shumë i mirë, por i vonuar. Ai u shpreh që Reforma në Drejtësi ka nevojë për pasionin, pastërtinë dhe idealizmin e rinisë.
“Por korrupsionin dhe faturën do ta paguajnë qytetarët, faturën do ta paguajnë prindërit tuaj, faturën do ta paguani ju. U deshën 3 vjet të plotësoheshin vakancat në Gjykatën Kushtetuese, që sigurisht është një lajm i mirë, por shumë i vonuar dhe Reforma në Drejtësi që të ketë sukses ka nevojë pikërisht për pasionin, pastërtinë dhe idealizmin e rinisë”, tha Basha.
Kreu i opozitës u shpreh se zgjedhjet e ardhshme janë një mundësi që vendi të ndahet nga partia në pushtet, pasi drejtësia në qeverisjen e ardhshme, sipas Bashës, nuk do të jetë pronë e qeverisë.
“Shumëkush thotë që drejtësia u kap nga partia në pushtet, kjo është një arsye më shumë që më 25 Prill të ndahemi nga partia në pushtet, sepse e dimë që me qeverinë e ardhshme, të paktën drejtësia nuk do të jetë pronë e qeverisë dhe kjo siç e dini ju është një nga garancitë e shtetit të së drejtës: ndarja edhe balancimi i pushteteve “trias politika”. Askush nuk do të mund ta akuzojë qeverinë e ardhshme se e ka marrë peng drejtësinë, por ne do ta shtyjmë, do ta stimulojmë që të bëjë detyrat e saj, duke nisur me luftën kundër korrupsionit, duke bërë shembuj konkretë që ta zmbrapsim këtë bilanc të tmerrshëm: 7.2 miliard euro në 7 vite”, tha Basha.