Nga Aurenc Bebja*, Francë
“The Carmel Pine Cone” ka botuar, të premten e 10 nëntorit 1939, në faqen n°5, rrëfimin mbi Shqipërinë të Dr. Walter Lehman, mjekut personal të mbretit Zog, i strehuar asokohe me familjen e tij në Carmel (SHBA), të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Dr. Walter Lehman gjen një strehë të lumtur në Carmel; Në Shqipëri, ai ishte mjek personal i Mbretit Zog
Nga Francis L. Lloyd
Të jesh mjek personal i Mbretit Zog të Shqipërisë gjatë një pjese të dekadës së harlisur të Zogut si sundimtar i vendit të vogël të tharë pranë Adriatikut mund të tingëllojë si një punë e lehtë, por për Dr. Walter Lehman, i cili që atëherë ka ardhur në Carmel për të pushuar, ishte një nga periudhat më plot ngjarje të karrierës së ngjeshur të një kirurgu aktiv.
Sot Dr. Lehman, me origjinë nga Gjermania, ka sjellë gruan e tij simpatike, e cila vetë është trajnuar në mjekësi, dhe dy djemtë, Klaus, 9 vjeç dhe Hans, 7 vjeç, për të gjetur një shtëpi dhe strehë në Carmel. Ai kujton përvojat e tij shqiptare me një psherëtimë lehtësimi, tani që ato kanë mbaruar.
Fillimisht ishte puna e cila fillonte në orën 7 të mëngjesit dhe zgjaste deri në operacionet e mëdha që Dr. Lehman drejtonte personalisht, si dhe merrej me detajet e spitaleve civile dhe ushtarake në përfundim të ditës. Më pas pati edhe ekspedita me aeroplan për të operuar shqiptarë të sëmurë të cilët ndodheshin larg brenda vendit. Dhe, përveç këtyre detyrave të rregullta dhe të rrepta, kishte edhe festat shoqërore. Shqipëria, e cila ka dy të tretat e popullsisë myslimane, me balancat e ndara në mënyrë të barabartë midis katolikëve romakë dhe katolikëve ortodoksë grekë, feston festat që i përkasin siç duhet secilës prej këtyre feve. Pastaj ishin festat e mëdha qytetare.
“Ndonjëherë”, deklaron Dr. Lehman, “kishte deri në pesë apo gjashtë festa radhazi. Gjatë vitit tim të fundit në Shqipëri, ne festuam dhjetëvjetorin e mbretërimit të Mbretit Zog, 25 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe martesën e Mbretit dhe Mbretëreshës. Thjesht ishim të rraskapitur!”
Ky celebrim festash dhe argëtimesh, i cili zakonisht fillonte vonë në mbrëmje derisa mbreti të kthehej – rreth orës 4 të mëngjesit – ishte në kontrast me varfërinë e miliona shqiptarëve që jetojnë në atë që tani është një provincë italiane, midis Greqisë në jug dhe Jugosllavisë në veri, drejtpërdrejt përtej Adriatikut të ngushtë nga “thembra” italiane.
Dr. Lehman i përshkruan shqiptarët si një popull me të ardhura (mjete) modeste, që nuk duan të punojnë më gjatë ose më shumë se ç’duhet, pak progresistë, megjithëse ata nga njerëzit e tyre që ishin shkolluar jashtë vendit në Vjenë, Francë ose Itali, ishin shoqëruesit më të këndshëm dhe poliglotë.
“Asistentët e mi flisnin disa gjuhë, zakonisht turqisht dhe italisht, përveç shqipes së tyre amtare, dhe shpesh flisnin greqisht, jugosllavisht, frëngjisht, anglisht ose gjermanisht. Nuk ishte asgjë për ta të flisnin pesë ose gjashtë gjuhë. Mund të flisja shumë rrjedhshëm frëngjisht dhe italisht, por vetëm disa fjalë shqip të cilat ndonjëherë i përdorja për të pyetur pacientët.”
Dr. Lehman flet anglisht saktë dhe me pak theks, dhe gruaja e tij flet mirë anglisht. Dr. Lehman erdhi për herë të parë në këtë vend disa vite më parë për të punuar me Dr. Harvey Cushing, kirurgun e madh amerikan, vdekja e të cilit ndodhi së fundmi. Dr. Lehman e pa atë në New Haven vetëm pak kohë përpara se Dr. Cushing të vdiste. Ai punoi gjithashtu në klinikën Mayo në Rochester, Minnesota, kur ishte në këtë vend me leje nga Goettingen.
Studimet e tij për mjekësi i filloi në Gjermani, ku ndoqi universitetet në Bonn, Freiburg dhe Berlin, si dhe në Gjenevë. Kjo ndodhi para shpërthimit të Luftës Botërore. Më vonë ai ishte në stafet mjekësore në Frankfort dhe Goettingen përpara se të shkonte në Shqipëri.
Posti i tij i parë në Shqipëri ishte në Vlorë, një qytet i vogël në jug ku malaria ishte aq e rëndë (përhapur) sa ishte e pamundur të merrte fëmijët me vete. Këtu, trajnimi mjekësor i zonjës Lehman u shfrytëzua mirë, pasi ajo ndihmoi Dr. Lehman në organizimin e spitalit, madje edhe përgatitjen e fashave dhe mjeteve kirurgjikale. Megjithatë, ishte e vështirë t’i bëje vendasit të vinin në spital për trajtim, sepse në një regjim të mëparshëm një “kockë sharre” kishte krijuar një bestytni që të shkoje në spital do të thoshte vdekje pothuajse e sigurt. Sidoqoftë, kjo u tejkalua me kohën dhe Dr. Lehman u largua nga spitali në lulëzim kur ai u transferua në kryeqytetin verior të brendshëm, Tiranën.
Mbreti Zog e vendosi Dr. Lehmanin në krye të spitaleve ushtarake dhe civile dhe e solli në oborr si mjekun e tij.
Edhe pse jeta ishte e këndshme dhe operacionet e shumta – 1500 operacione në vit nën mbikëqyrjen e Dr. Lehmanit – Lehman-ët e konsideronin Tiranën më shumë si një jetë në fshat sesa një qytet modern. Nuk kishte rrugë, përveç një “autostrade” prej 20 miljesh për në Durrës, portin detar, nuk kishte lidhje telefonike me pikat përtej qytetit; dhe asnjë hekurudhë.
Komunikimi me botën e jashtme bëhej me aeroplan nga Roma, e cila ndodhej tre orë larg, ose me avullore të vogël përtej Adriatikut. Në kohë stuhie, avulloret e vogla nuk guxonin të dilnin përtej këtij deti të trazuar në brendësi, dhe, natyrisht, asnjë avion nuk fluturonte, dhe Shqipëria do të izolohej për ditë të tëra. Kohët e fundit u ndërtua një stacion radiofonik.
Shumica e përmirësimeve moderne u financuan nga italianët, të cilët kanë luajtur një rol të madh në zhvillimin e vendit. Që nga koha kur anglezët hoqën dorë nga përpjekjet për të nxjerrë naftën nga Shqipëria, italianët përparuan. Infermieret në spitalet e Dr. Lehman ishin murgesha italiane dhe kishte një koloni të konsiderueshme italiane. Xhandarmëria, e rëndësishme në shuarjen e banditizmit gjatë regjimit të Zogut, u rekrutua nga anglezët nën drejtimin e gjeneralit Percy.
“Kur gjenerali Percy u largua nga Shqipëria, e dija se kishte ardhur koha që edhe unë të largohesha”, tha Dr. Lehman. “Kam këmbyer paratë e mia në dollarë vetëm një herë. Megjithatë, tetorin e kaluar i kisha shitur mobiliet e mia dhe po planifikoja të largohesha gjithsesi në prill. Kështu që saktësisht nuk u largova fshehurazi nga vendi.”
Dr. Lehman ka sjellë me vete shumë fotografi dhe të shikosh “albumin familjar” tradicional nuk është aq e mërzitshme siç është zakonisht. Fotot e tyre interesante të bëra nga zonja Lehman tregojnë rrugët shqiptare, me mallra të varura jashtë dhe me ushqime të papërpunuara të ekspozuara në rrugë në thasë. Ka fotografi të vendasve me veshje të thjeshta ose me plisa të bardhë elegantë dhe me “kilte – fustanella”, njësoj si kostumet kombëtare greke, të veshura nga malësorët shqiptarë (Zogu ka qenë udhëheqës i një fisi malor përpara se të vinte në fron).
Shumica e fotografive të zonjës Lehman përfshijnë ura romake, rrugë me gropa dhe shpesh gomarin e kudondodhur, duke mbajtur ngarkesa me dru. “Në Shqipëri blinim dru mbi gomarë – rreth 30 cent për atë që mund të mbante një gomar. Ishte shumë shtrenjtë, sepse druri është i rrallë në një vend kaq të thatë,” shpjegoi Dr. Lehman.
Disa imazhe tregojnë lumenj, kodra të mbuluara me shkurre dhe disa pemë përgjatë shtretërve të lumenjve dhe ngjajnë shumë me skena të tilla në Kaliforni, Nevada ose Arizona. Dr. Lehman e krahason peizazhin më tepër me zonat malore në perëndim të Omahas.
Këtu janë disa gjëra të tjera për Shqipërinë që ky shkrimtar nuk i dinte më parë: Ford-at kushtojnë 2000 dollarë në Shqipëri, për shkak të taksave që arrijnë në gati 100 për qind mbi importet; Mbreti Zog ndërtoi shkolla dhe vendosi arsimin e detyrueshëm; Energjia elektrike shtëpiake është rreth dhjetë herë më e shtrenjtë në Shqipëri sesa në Carmel; Shqiptarët jetojnë kryesisht me djathë, bukë dhe qumësht, dhe eksportojnë pak përveç leshit; gjuha shqipe është jashtëzakonisht e vështirë për t’u mësuar; Shtëpitë shqiptare kanë çati me tjegulla dhe mure balte, njësoj si qerpiçët e vjetër të Kalifornisë, por nuk janë shumëngjyrëshe.
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania