Kryesore Zgjedhjet vendore, Ambasadorja gjermane: Të marrin pjesë të gjitha partitë

Zgjedhjet vendore, Ambasadorja gjermane: Të marrin pjesë të gjitha partitë

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz u ka bërë sot thirrje të gjitha partive të shfrytëzojnë rastin e të marrin pjesë në zgjedhjet lokale.

Ambasadorja Susanne Schütz dhe Erida Skëndaj, Drejtoreshë Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit (AHC), kanë rënë dakord sot për të bashkëpunuar në procesin e vëzhgimit gjatë zgjedhjeve lokale të datës 30 qershor 2019.

Qeveria Federale do ta mbështesë AHC-në me fonde të “Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore”.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj kontrate subvencioni në Ambasadën Gjermane, Ambasadorja Schütz deklaroi se, “zgjedhjet e lira, të barabarta dhe të fshehta janë baza e çdo demokracie të shëndetshme. Është me rëndësi thelbësore që zgjedhësit/et të mund të kenë besim në një zhvillim të rregullt të procesit zgjedhor”.

“Ndaj gëzohem që Gjermania, përmes këtij projekti të AHC-së, do të plotësojë përpjekjet e misioneve të tjera të vëzhgimit. Masat e parashikuara nga AHC sikundër janë trajnimi i vëzhguesve dhe vëzhgimi real në qendrat e votimit do të kontribuojnë në zhvillimin e procesit zgjedhor sipas standardeve kombëtare e ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë u bëj thirrje të gjitha partive të shfrytëzojnë rastin e të marrin pjesë në zgjedhjet lokale”, tha ambasadorja.