Sport A do luhet finalja e Champions League në Rusi?

A do luhet finalja e Champions League në Rusi?

UEFA nuk po mendon për momentin ndryshimin e finales së Champions League këtë sezoni, planifikuar pikërisht në Shën Petersburg, pra në Rusi, për shkak të situatës së tensionuar në Ukrainën lindore.

Veprimi i presidentit rus Vladimir Putin, i cili nënshkroi një dekret për njohjen e pavarësisë së republikave të vetëshpallura proruse të Luganskut dhe Donjeckut në Ukrainën lindore, ka ngjallur tashmë reagimet e para në fushën e sportit.

Ka pasur thirrje që UEFA t’i heqë Rusisë statusin e mirëpritëses së ndeshjes finale të Ligës së Kampionëve për shkak të ngjarjeve në Ukrainë, planfikuar më 28 maj.

Në zyrat e UEFA-s janë ngritur dyshime serioze rreth mundësisë që finalja e Champions të zhvillohet në “Gazprom Arena”. Institucioni që drejton futbollin në kontinent, po monitoron me kujdes krizën ukrainase dhe po përgatit një plan emergjence, nëse do të ndodhë më e keqja.

Problemi lidhet me sigurinë, prej rrezikut të luftës, por edhe me çështjet logjistike. Kjo, për faktin se disa kompani ajrore kanë njoftuar pezullimin apo zvogëlimin e fluturimeve drejt Ukrainës dhe Rusisë, për shkak të tensioneve të krijuara.

Edhe gjatë edicionit të kaluar, tre javë përpara se të luhej, finalja e Champions ndryshoi qytetin organizator. Ndeshja e parashikuar të luhej në Stamboll u transferua në Porto, për shkak të emergjencës së krijuar nga pandemia, e cila kishte goditur rëndë qytetin turk.