Politika A do ta telefonojë Bashën? Berisha: Ai ka tejkaluar çdo vijë të...

A do ta telefonojë Bashën? Berisha: Ai ka tejkaluar çdo vijë të kuqe, por rrugën e ka të hapur

Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se kryedemokrati Lulzim Basha ka tejkaluar çdo vijë të kuqe dhe limiti në lidhje me qëndrimin e tij ndaj Partisë Demokratike.

Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Berisha u pyet nga gazetari Blendi Fevziu nëse është i gatshëm të telefonojë Lulzim Bashën për t’i hapur rrugë procesit të bashkimit të partisë.

Ish-kryeministri u shpreh se është i hapur për këdo. Sa i përket Lulzim Bashës, tha se e ka rrugën të hapur për të marrë pjesë në çdo garë brenda partisë.

“Unë mendoj se ne po vendosim kontakt dhe jam i hapur për të gjithë. Nuk kam kontakt me z. Basha. Mendoj se z. Basha ka tejkaluar çdo lloj vije të kuqe dhe limiti në qëndrimin ndaj Partisë Demokratike por edhe ndaj vetes së tij. Megjithatë në rast se z. Basha e ndjen se mund të marrë pjesë në garë që do hapet për të gjitha forumet, ai nuk është i përjashtuar. Ne nuk përjashtojmë. Ai dhe çdo anëtar e ka rrugën e hapur. Ai bën zgjedhjen e tij. Ne jemi të hapur”, tha Berisha.

Ish-kryeministri ftoi për bashkim edhe deputetët dhe anëtarët e tjerë të PD që janë shprehur kundër tij.

“Pse kanë folur kundër meje ka zero efekt tek unë. Janë të mirëpritur në grupin parlamentar dhe të vazhdojnë betejën kundër kësaj qeverie. Asnjë lloj hipoteke negative nuk mund të kenë ata për qëndrimet. Secili nga deputetët e PD që e lexon si duhet mesazhin e 6 Marsit që konstaton se Sali Berisha dhe PD e rithemelimit nuk u votua vetëm nga anëtarësia por nga 70% e elektoratit shqiptar i ka dyert e hapura për t’u bashkuar”, tha Berisha.