Kryesore Afrimi i fushatës për zgjedhjet e 14 majit, ambasada amerikane mesazh të...

Afrimi i fushatës për zgjedhjet e 14 majit, ambasada amerikane mesazh të fortë politikës

Kur na ndajnë edhe 50 ditë nga zgjedhjet vendore të 14 majit, ambasada amerikane në Tiranë, u ka bërë thirrje të gjitha partive dhe institucioneve që të sigurojnë zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare.

Në një deklaratë të ambasadës përmenden zgjedhjet parlamentare të prillit 2021 ku pati raporte për blerje votash, presion mbi votuesit dhe keqpërdorim të burimeve shtetërore dhe të dhënave personale.

“Pas zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021, raporti i ODIHR përshkruan fushat e progresit të vazhdueshëm si dhe mangësitë. Në veçanti, kishte raporte të besueshme për blerje votash, presion mbi votuesit dhe keqpërdorim të burimeve shtetërore dhe të dhënave personale. Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje qeverisë, partive dhe institucioneve shtetërore që të zbatojnë rekomandimet e ODIHR-it”, thuhet në deklaratë.

Po kështu kërkohet që liderët e partive të kryejnë fushatë zgjedhore të drejtë, të rregullt dhe transparente dhe të sigurojnë që listat e kandidatëve të përmbushin kërkesat e ligjit.

“Siç diskutoi kohët e fundit ambasadorja Kim me liderët e partive, partitë politike duhet të sigurojnë që fushatat dhe aktivitetet zgjedhore të zhvillohen në mënyrë të drejtë, të rregullt dhe transparente. Drejtuesit duhet të sigurojnë që listat e tyre të kandidatëve të përmbushin kërkesat e ligjit, si dhe pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për kandidatë të pastër dhe me integritet të lartë”.

Ambasada e SHBA kujton se “strategjia e Presidentit Biden për Kundër Korrupsionit identifikon kërcënimin unik që paraqet korrupsioni për demokracinë dhe sigurinë tonë kombëtare”.

Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht kërkesën e popullit shqiptar për një demokraci të fortë. Ne u bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve dhe institucioneve që të vazhdojnë të përmirësojnë proceset zgjedhore të Shqipërisë dhe ta mbajnë Shqipërinë të ecë përpara në rrugën e saj demokratike, përfundon deklarata.