Bota Alec Baldwin qëllon në setin e filmit: Vret drejtoreshën e fotografisë dhe...

Alec Baldwin qëllon në setin e filmit: Vret drejtoreshën e fotografisë dhe plagos regjisorin

Një tragjedi ka ndodhur gjatë xhirimeve të një filmi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku protagonist është një aktor i njohur.

Mediat amerikane raportojnë se aktori Alec Baldwin qëlloi me armë gjatë xhirimeve të filmit “Rust” duke lënë të vdekur një grua dhe ka plagosur një burrë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në New Mexico. Një zëdhënës i aktorit tha për mediat se incidenti ndodhi për shkak të mosfunksionimit të pistoletës manovër që përdoret në të tilla raste gjatë xhirimeve të filmave.

Alec Baldwin

Viktima është Halyna Hutchins 42 vjeç, drejtoreshë fotografie e filmit. Ndërsa i plagosuri është Joel Souza 48 vjeç, regjisor i filmit.

Policia amerikane nuk ka ngritur ende asnjë akuzë zyrtare, teksa hetimet po vijojnë. Aktori Alec Baldwin dha dëshminë e tij për hetuesit dhe më pas u largua.

Halyna Hutchins

“Ai erdhi vullnetarisht dhe u largua pasi përfundoi dëshminë”, tha një zëdhënës i policisë.

Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta, por sipas të dhënave, Baldwin u pa jashtë zyrës së sherifit lokal me lot në sy, deri më tani ai nuk ka folur me asnjë media.

“Zyra e sherifit konfirmon se dy persona u qëlluan me armë në sheshxhirimin e filmit “Rust”. 42-vjeçarja Halyna Hutchins dhe 48-vjeçari Joel Souza u qëlluan me armë nga producenti 68-vjeçar, Alec Baldwin. Hutchins u dërgua me helikopter në spital, por plaga e saj ishte fatale, kështu që ndërroi jetë”, shkruhet në komunikatën e policisë.

Deri tani incidenti po hetohet në kuadrin e një ngjarje aksidentale, megjithatë policia vijon hetimet.