Kryesore Apeli lë në fuqi vendimin për sekuestron e pasurive të Ylli Ndroqit

Apeli lë në fuqi vendimin për sekuestron e pasurive të Ylli Ndroqit

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për sekuestrimin e pasurive të Ylli Ndroqit. Pasuritë e Ndroqit, përfshirë dy televizionet do të qëndrojnë të sekuestruara gjatë hetimeve që po zhvillohen ndaj tij.

Avokati i tij, Alban Qafa, deklaroi për gazetarët në përfundim të seancës gjyqësore se beteja ligjore do të vijojë tashmë në Gjykatën e Lartë ku do të paraqesin prova të reja.

“Vendimi nuk është i mbështetur në prova. Të paktën prokuroria ka sjellë indicie, ne kemi çuar prova. Edhe ato prona që janë të përfituara me ligjin 7501 me privatizim, komunale banesa, prona që janë të kredituara, të gjitha qëndrojnë të kredituara megjithëse ecën kredia e tyre, ecën qiraja. Kanë dyshime bazuar në indicie, por nuk kanë prova. Ligji njeh indiciet, nuk njeh provat, gjithsesi do të vazhdojmë betejën në Gjykatën e lartë. Do të shtojmë provat e tjera që kemi disponuar gjatë gjithë kësaj periudhe”, tha Qafa.

Avokati tha se Interpol Tirana ka trilluar historinë me Ndroqin, pasi nga dokumentacioni i ardhur nga Ministria e Brendshme italiane, Ndroqi nuk ka qenë asnjëherë i arrestuar apo proceduar.

“Indiciet janë kryesisht shkresa të prodhuara nga Ministria e Brendshme dhe jo organi i akuzës, nga oficerët e policisë. Dokumentacioni i ardhur nga Italia thekson se nuk ka qenë asnjëherë i arrestuar, proceduar në Itali. Se ku e ka gjetur Interpol Tirana këtë duhet ta verifikojë organi i akuzës”, tha Qafa.

Qafa u shpreh se në Turqi, Ndroqit i është verifikuar një celular për të zbuluar nëse ka pasur lidhje me persona të tjerë të proceduar. Megjithatë pas verifikimit, celulari i është kthyer Ndroqit pa pasur asnjë element që ta procedojë apo ta marrë atë të pandehur.

“Sa i përket Turqisë, zoti Ndroqi ka pasur një verifikim të celularit Erikson. Është çuar në laboratorin e Policisë Shkencore. Është bërë ekspertiza dhe nuk ka pasur lidhje të tjera me persona të tjerë që e kanë pasur një procedim penal për një vepër tjetër. Nuk ka asnjë dënim për zotin Ndroqi në Turqi. Ka pasur një verifikim për të kontrolluar komunikimet atje. I është rikthyer pas përfundimit të procedurës dhe nuk ka pasur asnjë element që ta procedojë dhe nuk është marrë i pandehur”, tha Qafa, sipas të cilit Ylli Ndroqi nuk është subjekt i ligjit antimafia.

Më 3 Gusht SPAK i sekuestroi pasurinë Ylli Ndroqit, duke u bazuar te ligji antimafia pasi ai ishte arrestuar në Turqi dhe Itali për trafik droge, me emrin Xhamail Pasmaçiu.