Aktualitet Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, arrestohen 5 persona, shpallen në kërkim 4...

Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, arrestohen 5 persona, shpallen në kërkim 4 të tjerë (VIDEO)

Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj i ndodhur në 1 Nëntor 2019, në Shkozet, Durrës është zbardhur në kuadër të operacionit policor të koduar “Komploti”. Në pranga kanë rënë 5 persona dhe janë shpallur në kërkim 4 të tjerë.

Në pranga kanë rënë Bashkim Haxhija, Marsel Decka, Endrit Sinani, Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku dhe Juljan Pjetri.

Në kërkim janë shpallur Julian Meçaj, Plaurent Dervishaj, Ramazan Rraja dhe 1 person tjetër të dyshuar si bashkëpunëtorë me 5 shtetasit e arrestuar.

Të arrestuar:

Bashkim Haxhija – 54 vjeç (banues në Durrës)

Marsel Decka – 38 vjeç (banues në Durrës)

Endrit Sinani – 29 vjeç (banues në Tiranë)

Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku – 40 vjeç (banues në Durrës)

Juljan Pjetri – 45 vjeç (banues në Tiranë)

Në kërkim:

Julian Meçaj, Plaurent Dervishaj, Ramazan Rraja dhe 1 tjetër.

Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, FNSH dhe Repartin Special Renea, nën koordinimin e SPAK-ut.

Gjatë këtij operacioni, u zhvilluan kontrolle në 11 banesa, në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë.

Policia njofton se janë sekuestruar 1 armë gjahu, 1 jelek antiplumb, 2 jelekë shpëtimi, dylbi me rreze të largët, 5 automjete, 4 milionë lekë, 6 aparate celulare, 50 kontrata shit-blerjeje pronash, dokumente, 11 ora dore të markave të shtrenjta dhe sende të tjera të ndryshme.

Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” me pasojë vdekjen e shoferit të ish-prokurorit, Andi Maloku, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Vjedhja”, më shumë se një herë, të kryera në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.