Kryesore “Ballkani i Hapur”, Rama dhe Dimitrov do të takohen sot me Vuçiç...

“Ballkani i Hapur”, Rama dhe Dimitrov do të takohen sot me Vuçiç në Beograd

Kryeministri Edi Rama dhe zëvendës Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, do të udhëtojnë sot drejt Beogradit dhe do të takohen me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në këtë takim duhet të ishte Zoran Zaev, por pas humbjeve të zgjedhjeve lokale ka dhënë dorëheqjen nga posti i Kryeministrit.

Mësohet se takimi i sotëm mes tre liderëve do të fokusohet tek “Ballkani i Hapur”, nismë e cila është shumë e diskutuar.

Mediat në Serbi duke iu referuar një deklaratë të Vuçiç, bëjnë me dije se sot në Beograd do të ketë shumë biznesmenë të huaj që do të diskutojnë për këtë nismë.

“Ballkani i Hapur” është mbështetur nga Rama, Vuçiç dhe Zaev, por pas dorëheqjes së këtij të fundit nuk dihet se çfarë fati do ketë pasi opozita në Maqedoninë e Veriut e ka kundërshtuar. Një ditë më parë Rama dhe Vuçiç u takuan në Skoci gjatë samitit për klimën dhe diskutimi i tyre lidhej me nismën e “Ballkanit të Hapur”, nëse duhej vijuar pa Zaev apo jo.