Bota Beteja më e vështirë me Covid-in: 115 ditë në spital, 28 tamponë...

Beteja më e vështirë me Covid-in: 115 ditë në spital, 28 tamponë pozitivë

Mes shumë të panjohurave që ka sjellë me vete pandemia e Covid-19 është edhe fakti se virusi sillet ndryshe nga njëri pacient te tjetri. Kjo e bën të paparashikueshme ecurinë e tij, duke i lënë shpesh edhe mjekët të paaftë për të dhënë një shpjegim. Rasti i një 43-vjeçari në Bergamo është i tillë. Odiseja e Marco Carrara-s me koronavirusin nisi më 31 mars. Ai ka mundur të kthehet në shtëpi vetëm pas 115 ditësh në spital dhe 28 tamponësh. Gjatë kësaj kohe, ai i është drejtuar me një letër edhe kryeministrit Giuseppe Conte.

Sipas “Eco di Bergamo”, që ka publikuar historinë e tij, Marco është paraqitur në spitalin “Giovanni XXIII” vetëm pas kohë pas vdekjes së të atit. Ai ka qëndruar i shtruar për një muaj e gjysmë, më pas është transferuar në një klinikë tjetër dhe është rikthyer prapë në spital pas përkeqësimit të gjendjes. Më 24 korrik, ai ka lënë spitalin, por nuk mund të kthehej në shtëpi, pasi tamponët rezultonin pozitivë. Kështu që është detyruar të karantinohet i vetëm në shtëpinë e të atit.

Ai është kthyer në shtëpi më 20 gusht, ndërsa këmbanat e lagjes ku jeton kanë rënë për betejën e tij të fituar me virusin.