Politika “Ditëlindjen e parë e feston në Shqipëri”! Me dhurata për të vegjlit,...

“Ditëlindjen e parë e feston në Shqipëri”! Me dhurata për të vegjlit, Rama viziton afganët në Durrës

“Ditëlindjen e parë e feston në Shqipëri”! Me dhurata për të vegjlit, Rama viziton afganët në Durrës

Kryeministri Edi Rama vizitoi këtë të premte afganët e parë të mbërritur gjatë orëve të natës në vendin tonë. 121 fëmijë, gra e burra nga Afganistani ndodhen aktualisht të strehuar në strukturat hoteliere në qytetin e Durrësit.

I shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, Rama pa nga afër ambientet ku ata po qëndrojnë, ndërsa për të vegjlit shpërndau edhe dhurata.

Mes fëmijëve që morën dhurata ishte edhe një djalë i vogël, i cili sot festonte ditëlindjen e tij të parë që i qëlloi pikërisht ta festonte në Shqipëri.

Familjet afgane falenderuan kreun e qeverisë shqiptare për mikpritjen dhe u shprehën tejet të kënaqur me kushtet e siguruara për qëndrimin e tyre.

“Është si të vish nga ferri në parajsë”. Me këto fjalë një grua afgane iu drejtua kryeministrit Rama.

“Doja t’ju falënderoja për mikpritjen, për afganët në përgjithësi dhe grupin tonë në veçanti. Nuk është e lehtë që të strehosh kaq shumë njerëz. Faleminderit shumë. Realiteti është ky që është për fat të keq, dhe të vish këtu, është si të vish nga ferri në parajsë”, tha mes të tjerash një qytetare afgane.