Aktualitet Dumani: Institucionet nuk raportojnë korrupsionin! Kemi mungesë të hetuesve, shumica e agjentëve...

Dumani: Institucionet nuk raportojnë korrupsionin! Kemi mungesë të hetuesve, shumica e agjentëve të BKH janë te përgjimet

Gjatë raportimit para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kreu i SPAK, Altin Dumani ka shtruar disa nga problematikat që përballet institucioni që ai drejton.

Pikë së pari, Dumani ka vënë theksin se përveç Policisë së Shtetit, asnjë institucion tjetër, qoftë në nivel qendror ashtu edhe lokal, nuk raportojnë për veprën e “korrupsionit” apo paligjshmëri të tjera penale.

“Kemi çmuar disa problematika, të evidentuara nga puna 4 vjeçare e institucionit, që duhet të reflektohen në mundësinë e ndryshimeve ligjore. Mungesë e përcaktimit të qartë ligjor të statusit prokurorit të posaçëm pas përfundimit të mandatit 9 vjeçar. Mungesa e këshilltarëve ligjorë, të domosdoshëm për analizën ligjore të çështjeve. Ngarkesa në dosje, por edhe një detyrë e re që i ngarkohet kreut të SPAK është përfaqësimi i Komisionerit Publik në përfundim të procesit të vettingut në KPA.

Në janar 25- qershor 26 kreu i SPAK duhet të ndjekë 150 seanca. Përveç policisë së shtetit, institucionet e tjera, si qendrore si lokale nuk referojnë në SPAK veprën e “korrupsionit” apo paligjshmëri të tjera penale. Është e nevojshme rritja e numrit të referimeve nga institucionet e tjera”, tha Dumani.

Nga ana tjetër, ai vuri theksin edhe për mungesën e hetuesve.

“Është i nevojshëm shtimi i hetuesve të BKH. Mbi 75 % e hetimeve aktuale kryhen nga BKH. Ne konstatojmë që kemi rritje të ngarkesës dhe kur vjen puna tek bashkëpunimi me autoritetet e huaja, po shkojmë në një situatë, ku nuk po mundemi t’i adresojmë dhe delegojmë çështjet penale. Kemi 60 aktualisht, por një numër i tyre është tek qendra e përgjimeve, të cilët nuk mund të merren me veprime të tjera hetimore”, tha ai.