Politika Fevziu: Rama-Meta do t’i nxirrnin dhëmbët njëri-tjetrit, por për interes edhe do...

Fevziu: Rama-Meta do t’i nxirrnin dhëmbët njëri-tjetrit, por për interes edhe do të putheshin

Gazetari Blendi Fevziu komentoi këtë mbrëmje aktualitetin politik në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24. Duke u ndalur te përplasja Presidencë-Kuvend-KED për Gjykatën Kushtetuese, Fevziu tha se kjo është vijimi i përplasjes mes presidentit dhe maxhorancës.

Sipas tij, ka gjysmë të vërteta nga secila palë, ashtu siç ka dhe hile për ta anashkaluar.

Duke e cilësuar qesharak veprimin e Arta Vorpsit për t’u betuar te noterja si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, Fevziu ironizoi përplasjen mes Ilir Metës dhe Edi Ramës, teksa tha se “i njoh shumë mirë të dy, e di që janë njerëz aq pragmatistë, saqë do t’i nxirrnin dhëmbët e do të kërconin njëri-tjetrin, po aq do përqafoheshin e do putheshin po të ishte interesi”.

Duke qenë se ju kam në studio, dua ta prekim edhe pak aktualitetin. Jeni shumë afër zhvillimeve politike, si ju duket kjo përplasje Presidencë- Kuvend-KED. ..

E para është vijim i një përplasje mes Presidentit dhe maxhorancës, e cila fillon shumë më herët dhe nuk ka lidhje. Fillon që në momentin e përplasjes së parë për gjeneral Lleshajn, kur do të kalonte Ministër i Brendshëm, te mosdekretimi i Cakajt si ministër i jashtëm, te mosdekretimi i datës së zgjedhjeve, është shumë e vështirë midis tyre të kuptosh realisht, ka gjysma të vërtetash nga secila palë. Pra secila palë thotë gjysmë të vërtetën e saj, ka një hile për të anashkaluar. Pra, gjykimi i maxhorancës ka qenë vonimi i datës duke i imponuar Presidentit një rregull të cilin ai e ka të detyrueshëm pavarësisht se është në ligj dhe jo në Kushtetutë, në të cilën cfarë ka bërë, KED i ka çuar 4 emra, maxhoranca nuk ka qenë e kënaqur me emrin e katërt duke e lidhur besoj me emrin e Enkelejd Alibeaj dhe ka shfrytëzuar Kuvendin si një grep për të kaluar, në një kohë më të vonë kandidaten në mënyrë që t’i jepte mundësi Presidentit të zgjidhte një nga tre emrat e parë, Presidenti ka pritur që duke zgjedhur Parlamenti një kandidaturë, binte një dhe mbeteshin tre, pra mund të shkonte te Marsida Xhaferllari. Pra, të dy kanë kalkuar kohën, presidenti referon Kushtetutën kur thotë një e zgjedh Presidenti, një Kuvendi.

Kuvendi referon ligjin që thonte Presidenti donte 30 ditë. Të dyja palët po t’i dëgjosh duket se janë bindëse në argumentet e tyre, dhe secila palë thotë që kjo është bindja, kështu duhet vepruar. Problemi këtu është ngërçi i përhershëm dhe ky është një problem që unë po e ndesh në të gjitha emisionet e mia dhe në përgjithësi në shoqërinë shqiptare. Shoqëria shqiptare po kthehet në një shoqëri kaotike, për mungesën e gjykimit final. Gjykimi final vjen nga institucionet që e japin, psh kemi rastet del njëra palë e thotë kjo palë ka shkelur ligjin etj etj, nga ana tjetër del pala tjetër e thotë jo s’kemi shkelur ligjin e kemi zbatuar në mënyrë perfekte, duhet të ketë patjetër një zë. Në shumicën e rasteve, ka një mungesë për të mos impotencë totale të Prokurorisë për t’i dhënë shpjegime ose për të dhënë të paktën një version të sajin të shumicës së gjërave. Kini parasysh çfarë ndodhi me përgjimet e Dibrës, ku kërkohej minimalisht të dihej nëse prokuroria ka thirrur ndonjë nga personat, dhe prokuroria heshtte, ishte gati të shkonte Shqipëria në një kaos civil në zgjedhjet e 30 qershorit, sepse Prokuroria nuk thoshte që ky është një problem që duhet hetuar dhe ne do nisim hetimin. I njëjti problem jemi edhe tani, jemi në një mungesë të Gjykatës Kushtetuese, që duhet të gjente zgjidhjen.

Kishim edhe një anëtare që betohej te noterja..

Ajo ishte qesharake, unë nuk e di kujt i referohej. Të paktën neni 129 është strikt që thotë duhet të betohet para Presidentit, por ka një çështje këtu që nëse ajo nuk betohet nuk gjykon dot, por anëtare rezulton e zgjedhur sipas saj. Pra, mund të jetë anëtare e gjykatës kushtetuese, por nuk ka votë në gjykim. Ajo hyn në zyrë, por nuk mund të marr pjesë në gjykimin e çështjes.

Ju i ndoqët artikulimet politike, Rama foli ashpër ndaj Presidentit e quajti edhe taleban presidentin…

Po nuk është hera e parë, Rama dhe Meta kanë lëshuar aq shumë akuza sa asnjëri në Shqipëri nuk ka shkëmbyer me njëri-tjetrin dhe Rama dhe Meta kanë bërë aq kompromise të çuditshme se askush në Shqipëri nuk ka bërë me njëri-tjetrin. Kështu që nga ky aspekt nuk marr të mirëqenë asnjë nga deklaratat e tyre, asnjë nga momentet e tyre nervoze, apo të dashurisë. I njoh shumë mirë të dy, e di që janë njerëz aq pragmatistë, saqë do t’i nxirrnin dhëmbët e do të kërconin njëri-tjetrin, po aq do përqafoheshin e do putheshin po të ishte interesi. Kështu që sa i takon deklaratave është mirë as mos i marrin në konsideratë.

Në fund dua t’ju pyes për Unazën e Re..

Opozita do ta mbështeste si kauzë, se ishte kauzë qendresë. Këtu duhet të ndaj anën time politike me atë personale. Personalisht mendoj që kushdo që ka ndërtuar pa leje, që shkon zapton vjen një moment që këtë kosto do ta paguash se ka qytetarë që kanë qenë fare korrekt në anën tjetër, nuk kanë zaptuar, nuk kanë ndërtuar pa leje. E heqim unazën e re ka zona që ti shkon zapton e legalizon dhe brenda një muaj nga legalizimi e jep për pallat, dhe ti si pronar merr 30 % të pallatit ndërkohë që pronari që ka patur tokën nuk merr asgjë. Dhe këtu ka patur një kusht te ligji i legalizimit që të legalizohen për sa kohë kanë shtëpinë, por po të duan ta zhvillojnë pronën e tyre në lartësi do ta ndajnë me pronarin e vjetër.

Pra, në këtë aspekt jemi në kushtet e një padrejtësie sociale, dhe padrejtësia sociale, ka kosto të tilla. Nga ana tjetër në raportin e të drejtës brenda saj, besoj jemi krejt të padrejtë, sepse disa prej banesave janë legalizuar, disa jo, përderisa të gjithë bashkë nuk duhet të legalizoheshin edhe ata që nuk janë legalizuar duhet t’i dëmshpërblesh. Ashtu siç ka vepruar qeveria Berisha me kopshtin botanik dhe të tjerët. Sepse ti krijon një padrejtësi. Pra, është bërë një herë një padrejtësi që ti zapton pa leje, tani ti shkon dhe bën një padrejtësi të dytë. Që ata që kanë paguar, kanë patur mik dëmshpërblehen, kurse ata që nuk kanë patur mik, nuk dëmshpërblehen. Por unë insistoj të them që ndërtimet pa leje kanë qenë gangrene e këtij vendi. Gjithë ajo situatë është ilegjitime, për arsye të banorëve që kanë zaptuar pa leje, por ata janë në të drejtën e tyre të kërkojnë dëmshpërblim për sa kohë disa i ke legalizuar. E drejta e barazisë duhet të jetë për të gjithë në mënyrë absolute. Kurse këto kërcënimet unë s’të lë etj etj, duhen parë rast pas rasti.