Kryesore Financimet ruse, Rama: Kur PS e ka trajtuar këtë çështje ata që...

Financimet ruse, Rama: Kur PS e ka trajtuar këtë çështje ata që sot hidhen përpjetë na kanë përqeshur

Kryeministri Edi Rama është pyetur nga gazetarët këtë të shtunë në lidhje me financimet ruse, pas publikimit të një dokumenti nga inteligjenca amerikane. Rama tha se kur Partia Socialiste e ka trajtuar këtë çështje është përqeshur nga ata që “sot hidhen përpjetë sepse e konsiderojnë mbase një tjetër gur për luftën e tyre të brendshme”.

“PS, financime ruse? Nga, apo përsëri është një rast për të ndryshuar drejtimin e temës? Dua t’ju kujtoj të gjithëve ju që po e trajtoni me të drejtë këtë temë sepse ka riardhur në qendër të vëmendjes pas një publikimi të bërë nga SHBA se kjo nuk është një temë e re. Nuk është një çështje aspak e panjohur për ne. Kjo është një temë që kur ne e kemi trajtuar shumë prej jush përfshirë edhe ata që sot hidhen përpjetë sepse e konsiderojnë mbase një tjetër gur për luftën e tyre të brendshme na kanë përqeshur. Askush prej një mase të madhe qoftë të medias, qoftë pastaj dhe të politikës përveç PS nuk ka marrë përsipër të thellohet në këtë drejtim. Ka qenë një përqeshje e madhe dhe njëkohësisht kujtoj se ka qenë një front i madh i bashkuar politik dhe mediatik për ta mohuar me të qeshur këtë çështje. Ja ku jemi sot. Këtë pyetje nuk keni pse ma drejtoni mua në kuptimin që kjo është një pyetje që duhet t’ia drejtoni prokurorisë, drejtësisë. Sepse në fund të fundit politika ka bërë zgjedhjet e veta, dhe mediat kanë bërë zgjedhjet e tyre të cilat rëndomë nuk janë interesi i publikut, por drejtësia e ka trajtuar këtë çështje dhe nuk ia ka dhënë përgjigje. Është për të ardhur keq kur sot shoh shumë që sot janë të skandalizuar, të tronditur, të shokuar… jo se duhet të na besonin ne kur kjo çështje u hap, por se duhet të bënin detyrën e tyre. Dhe detyra e tyre nuk është që sa herë flas unë dhe sa herë flet PS apo qeveria e PS apo grupi parlamentar i PS të skërmisin dhëmbët dhe të lëshojnë fjalë nga më të rëndat dhe të përqeshin çdo gjë që ne themi sidomos kur bëhet fjalë për kundërshtarë”, u shpreh Rama.