Kryesore “Franca nuk ka plan alternativ për Ballkanin, por modernizim procesi”

“Franca nuk ka plan alternativ për Ballkanin, por modernizim procesi”

Franca nuk synon të vendosë veton apo të krijojë një lloj partneriteti të privilegjuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, por mbështet anëtarësimin e plotë të tyre në Bashkimin Europian.

Deklarata vjen nga ambasadori i Francës në Serbi, Jean Louis Falconi, i cili përpiqet të shuajë zërat se Emannuel Macron do të propozojë një alternativë tjetër ndaj integrimit të plotë: “Nuk ka asnjë “veto” dhe asnjë “partneritet të privilegjuar” alternativ! Ka të bëjë me përmirësimin e procesit të zgjerimit: Franca është e angazhuar për anëtarësimin e plotë të Ballkanit Perëndimor dhe Serbisë në BE”.

Në një intervistë dy ditë me herët, Falconi shpjegon se ajo që Franca i kishte propozuar Këshillit Europian ishte ideja e modernizimit të procesit të pranimit, duke u mundësuar vendeve kandidate të cilat kanë përmbushur kushtet në fushë të caktuara, të shfrytëzojnë benefitet e tyre, në vend të që të presin për përfundimin e të gjithë procesit.

Ai shpjegon se në këtë mënyrë, procesi i ngadalshëm aktual i pranimit në BE, do të bëhej më i shpejtë, progresiv, por gjithashtu i kthyeshëm: “Ideja është se, kur një vend përfundon me negociatat në fusha të caktuara, do të mund të ulet në të njëjtën tryezë me shtetet anëtare e të marrë pjesë në politikëbërje, por pa të drejtën e votës”.

Falconi kujton se Macron kishte qenë i qartë gjatë vizitës së tij në Serbi në muajin korrik, kur kishte konfirmuar premtimin se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian do të realizohej.