Aktualitet Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për...

Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Aldo Baren

Gjykata e Lartë la në fuqi dënimin me burg për jetë për ish-kreun e bandës së Lushnjes Alto Bare.

Në vitin 2017 Gjykata Kushtetuese konstatoi parregullsi në procesin ndaj Bares duke kthyer çështjen në Gjykatën e Lartë për shqyrtim.

Në dhomën e këshillimit, gjyqtaret Ilir Panda, Sokol Ngresi dhe Ervin Pupe kanë lënë në fuqi vendimin e vitit 2012 të Gjykatës së Apelit për krime të rënda që mbyll në qeli përjetë Aldo Baren.

Aldo Bare u arrestua në Turqi në vitin 2006. Ndërsa kërkesa për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë u pranua në fundin e vitit 2009 kur ish kreu i bandës kriminale të Lushnjës mbërriti me charter në Aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ nën mbikëqyrjen e forcave të shumta të sigurisë.

Kush është Aldo Bare?

Ish-speciali i forcave RENEA, Alfred Shkurti, ose i njohur ndryshe si Aldo Bare, hyri në botën e krimit në vitin 1997, pasi atij i vrau vëllanë banda e Artur Dajës, gjatë një përleshje me armë zjarri.

Pas vrasjes se Ramadan Shkurtit, në Lushnjë nisi të operonte banda e Aldo Bares së cilës Drejtësia i numëron më shumë se njëzet vrasje, dhjetëra plagosje dhe vënie gjobash.

Kaq mjaftoi që vrasjet më pas të lidheshin zinxhir dhe natyrisht Bare nuk ishte i vetëm në gjithë këtë betejë personale.

Sipas prokurorisë, ish-speciali kishte arritur të rekrutonte në bandën e drejtuar prej tij Ilir Stërgun, Afrim Hoxhën, Arben e Enver Boriçin, Enver Dondollakun, të gjithë shokë, miq e të afërm të “kokës” së grupit, Aldo Bare dhe vëllait të tij Ramadan Shkurti, si dhe shumë të rinj të tjerë.

Ndryshe nga të gjitha bandat që vepronin në vitin 1997 në vend, banda e Lushnjes, që u drejtua nga Aldo Bare, arriti të krijonte një komisariat të vetin në qytet, atë që mbahet mend edhe si “Komisariati Nr. 2”.

Mbretërimi i tij në qytet zgjati për gati 10 vjet, deri në vitin 2006 ku u godit dhe koka e bandës, Aldo Bare i cili u arrestua në Maqedoni.