Bota Greqia do blejë avionë F-35. Përgjigje evazive nga SHBA për konfliktin me...

Greqia do blejë avionë F-35. Përgjigje evazive nga SHBA për konfliktin me Turqinë

Greqia ka zyrtarizuar kërkesën për të qenë pjesë e programit F-35(80 milionë dollarë për njësi) që nënkupton fitimin e të drejtës së blerjes së avionëve në fjalë që konsiderohen si ndër më të avancuarit në botë. Deri më tani nga vendet e huaja janë përfolur Izraeli dhe Turqia, kjo e fundit e refuzuar për shkak të blerjes së sistemit rus S-400.

Lajmi për ambicien e Greqisë është bërë i ditur gjatë vizitës së kryeministrit grek, Mitsotakis në ShBA gjatë së cilës ai është takuar me presidentin Donald Trump.

Greqia ka një problem strategjik me Turqinë dhe kërkon pajisjen e flotës ajrore për të kompensuar diferencat në fushën ushtarake me Ankaranë.

”Të dy udhëheqësit diskutuan gamën e plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe patën mundësinë për të rikonfirmuar nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve bilaterale dhe diskutuan mënyrën për t’i përmirësuar ato më tej”, theksuan burimet qeveritare.

“Jam shumë i kënaqur nga takimi i sotëm me presidentin Trump”, u tha kryeministri gazetarëve pas vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë.

Qeveria shtoi se gjatë takimit u theksua se bashkëpunimi strategjik me SHBA do të vazhdojë dhe do të shtrihet në të gjitha fushat që konsiderohen përparësi kryesore, siç janë investimet dhe mbrojtja, pasi që të dy vendet ndajnë një vizion të përbashkët për rajonin.

Lidhur me ndërhyrjen e Turqisë në Libi, Trump ka qenë evaziv duke dhënë një përgjigje të përgjithshme. Ai ka premtuar se do të komunikojë me vendet e tjera, duke e cilësuar situatën si të ngatërruar.