Kryesore Inceneratori i Fierit/ Alqi Bllako, akuza prokurorit të SPAK: Po bën hakmarrje...

Inceneratori i Fierit/ Alqi Bllako, akuza prokurorit të SPAK: Po bën hakmarrje personale, do ankimoj deri në Strasburg

Ish-deputeti Alqi Bllak, i akuzuar për inceneratorin e Fierit, ka paraqitur konkluzionet e mbrojtjes së tij në seancën e sotme në gjykatë.

Në paraqitjen e konkluzioneve mbrojtëse nga ana e tij, Bllako ka akuzuar SPAK se rikthimi tek akuzat fillestare nga ana e prokurorit  Dritan Prençi, duke anashkaluar vendimin e gjyqtares paraprake, tregon se është orkestruar goditja e tij në kuadër të një axhende të caktuar.

Bllako pretendon se nuk ka qenë zyrtar i lartë publik, por funksionar i lartë civil, teksa paralajmëroi se shkeljet e konstatuara do t’i ankimojë në KLP dhe deri në Strasburg.

“Shkelja e ligjit është aq flagrante se nuk di nëse ka të bëjë me injorancën profesionale apo një hakmarrje personale. Vetëm SPAK mund të akuzojë për një detyrë që nuk ka qenë detyra ime. Standard i hapur ekstraligjor, duke çuar përpara një axhendë hakmarrjeje personale ndaj personit tim. Kush konsiderohet funksionar i lartë shtetëror e përcakton Kushtetuta. E ftova prokurorin në seancën paraprake të citonte një ligj të vetëm se ku bazohet, nuk dha sqarime sepse diçka e tillë nuk ekziston. Është njësoj si gjykata të çojë për gjykim çështjen me akuzën shpërdorim detyre, ndërsa në konkluzionet përfundimtare prokuroria të ngrejë akuzën vrasje me paramendim. Është haptazi shpërdorimi i prokurorit, me qëllim hakmarrjen personale. Një atentat ndaj gjykatës paraprake. Një shkelje e tillë jo vetëm do ankimohet në KLP, por deri në Strasburg”, është shprehur Alqi Bllako në GJKKO.

Alqi Bllako akuzohet për shpërdorim detyre.