Kryesore Italia po del nga faza akute e pandemisë së COVID-19

Italia po del nga faza akute e pandemisë së COVID-19

Shërime rekord, numri i pacientëve të kujdesit intensiv në nivelin më të ulët prej një muaji, fitore në dukje mbi koronavirusin në Jug, vendi i parë europian i goditur nga pandemia, Italia, duket se po del nga faza akute e pandemisë.

Duke njoftuar sot shërimin e më shumë se 2 500 pacientëve brenda një dite, shifra më e lartë që nga fillimi i krizës, kreu i Mbrojtjes Civile italiane, Angelo Borrelli, nuk e fshehu kënaqësinë e tij.

Padyshim që ka patur ende 575 vdekje, gjë që e ka çuar numrin e përgjithshëm në 23 000 viktima, por Borrelli është i sigurt se numri i vdekjeve do të bjerë.

“Më 3 prill, ne patëm 4 068 pacientë në kujdesin intensiv, sot pak më shumë se 2 800, një shifër e pabotuar që nga 20 marsi”, tha Franco Locatelli, nga Këshilli Suprem i Shëndetësisë.

Sipas tij, presioni në objektet spitalore është lehtësuar.

Një tjetër shenjë inkurajuese, stabilizimi i numrit të pacientëve të shtruar, pak nën 107 000, vetëm 355 më shumë se një ditë më parë. Në disa rajone, si Napoli, Bolonja, Venecia, Firence ose Roma, kjo shifër po bie.

“Dhe nga më shumë se 65 000 teste brenda një dite (një rekord tjetër), vetëm 5% ishin pozitive, një tregues shtesë i efektivitetit të masave të kontrollit të marra për të frenuar ngjitjen e sëmundjes”, vazhdoi Locatelli.

“Të gjitha këto na bëjnë të vetëdijshëm për punën e madhe të realizuar në spitale dhe bashkëpunimin e qytetarëve”, shtoi Angelo Borrelli.

Zyrtarët e shëndetësisë tani janë të sigurt se kanë penguar përhapjen e koronavirusit të ri në jug, gjë që ishte një shqetësim kryesor për shkak të brishtësisë së infrastrukturës shëndetësore në këto rajone të varfëra.