Sport Klopp: Te Liverpool janë vaksinuar të gjithë, klubet të tregojnë emrat e...

Klopp: Te Liverpool janë vaksinuar të gjithë, klubet të tregojnë emrat e lojtarëve të infektuar

Çështja e vaksinimit të futbollistëve është rikthyer edhe njëherë në qendër të vëmendjes, kjo edhe për shkak të variantit të ri COVID, të quajtur Omicron. Shifrat janë në rritje në Britaninë e Madhe, e në këtë pikë nuk ka shpëtuar as bota e futbollit. Nga Tottenham, Manchester United e së fundmi Watford, shumë futbollistë kanë rezultuar të infektuar duke bërë që ndeshjet e klubeve të sipërpërmendura të shtyhen.

Mirëpo, duket se ka nga ato që i kanë marrë të gjitha masat për të mos pasur të papritura gjatë sezonit dhe fjala është për Liverpool. Trajneri i të kuqve, Jurgen Klopp ka theksuar se të gjithë në klub janë të vaksinuar dhe këtë proces përveç faktit për t’u mbrojtur nga infektimi, e kanë bërë edhe për solidaritet, ndërsa gjermani kërkon më shumë transparencë nga klubet mbi futbollistët që rezultojnë me COVID.

“Unë mendoj se do të ishte shumë më e lehtë nëse do ta tregonim situatën ashtu siç është. Nga pikëpamja ime mendoj se nuk ka asnjë problem nëse bëhet më shumë transparencë me të infektuarit në klube. Në rast se unë do të rezultoja i infektuar, atëherë nuk do të kisha asnjë problem ta tregoja se jam me COVID. Nuk ka asnjë arsye për t’u fshehur dhe nuk e kuptoj pse gjithmonë thuhet se kanë rezultuar pozitivë disa lojtarë apo disa pjesëtarë të stafit, pa përmendur emra konkretë.

Thuajini emrat dhe më pas e kuptojmë të gjithë arsyen se pse një ndeshje nuk mund të luhet. Të dielën do të luajmë ndaj Tottenham, por nuk e kemi idenë se cili nga futbollistët e tyre do të jetë në fushë. E di që ata luajnë sot dhe mund të kemi një indicie, por sërish po përgatisim një ndeshje si asnjëherë më parë, pa pasur shumë informacion.

Çështja e vaksinimit për mua ka të bëjë me solidaritetin dhe faktit për të qenë të gjithë së bashku në këtë moment të vështirë. Këtu te Liverpool nuk janë vaksinuar vetëm futbollistët, por të gjithë pjesëtarët e klubit kanë marrë dy dozat e vaksinës dhe sa më shpejt të jetë e mundur do të marrin edhe një tjetër për të qenë të sigurt”, u shpreh Klopp.