Politika KQZ: 30.33% pjesëmarrja në votimet e pjesshme vendore

KQZ: 30.33% pjesëmarrja në votimet e pjesshme vendore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raporton se pjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki ka qenë 30.33%.

Pjesëmarrja më e lartë ka qenë në Bashkinë e Dibrës me 43.35%, ndërsa më e ulëta në Bashkinë Durrës me 26.27%.

Në Bashkinë e Lushnjes pjesëmarrja në votime ka qenë 35.96%, në Bashkinë Shkodër 29.11%, në Bashkinë Rrogozhinë 30.92% dhe në Bashkinë e Vorës 40.33%.

Gjiknuri: Prisnim pjesëmarrje më të lartë në votime

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ka deklaruar se procesi i votimit për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki ka shkuar pa probleme.

Në një deklaratë për mediat, Gjiknuri u shpreh se kishin pritshmëri më të lartë për pjesëmarrje në votime, megjithatë, sipas tij, Partia Socialiste është e kënaqur me ecurinë e këtyre zgjedhjeve.

“Procesi ka shkuar më së miri, me pak probleme për shkak edhe të kushteve të vështira natyrore. E rëndësishme është që procesi në përgjithësi ka vuajtur ashtu siç duhet.

Dua të falenderoj të gjithë administratën zgjedhore, të gjithë përfaqësuesit e partive politike për mirëadministrimin e këtij procesi

PS është e kënaqur nga ecuria e këtij procesi, prisnim pjesëmarrje më të lartë por duhet të kuptojmë që jemi në kushte të vështira atmosferike.

Të gjithë e ushtruan të drejtën e tyre dhe asnjë nuk u pengua në ushtrimin e të drejtës së tyre.

Dua t’i bëj thirrje komisionerëve, gjithçka duhet të shkojë sipas ligjit. U kërkoj që të ushtrojnë detyrën deri në fund, mos intimidohen nga deklarata politik”, deklaroi Gjiknuri.