Kryesore Mazhoranca e merr në mbrojtje, mandati i Olta Xhaçkës nuk shkon në...

Mazhoranca e merr në mbrojtje, mandati i Olta Xhaçkës nuk shkon në Kushtetuese

Mazhoranca ka marrë në mbrojtje Olta Xhaçka duke hedhur poshtë kërkesën e opozitës për dërgimin e mandatit të saj në Gjykatën Kushtetuese.

Ishte opozita e cila kërkoi që mandati i Xhaçkës të rishqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese me pretendimin se bashkëshorti i saj Artan Gaçi është favorizuar si “investitor strategjik për ndërtimin e një resorti në Dhërmi në fillim të vitit 2022”.

Ministrja mohoi nga foltorja të gjitha akuzat e PD duke theksuar se bëhet fjalë për një status të investitorit të asistuar që ndryshon shumë nga investitorët strategjikë të veçantë.

Në fjalën e saj përpara vendimit, Xhaçka i quajti gazetarët “inkuizitorë”, “gjobaxhinj” dhe “snajperistë”, ndërsa kolegët opozitarë si “lecka”.

“Nuk mund të ndjej tjetër përveçse turp dhe neveri që në gojën e një zonje të rrotullohet gjuha e gjyqtarëve dhe prokurorëve popullorë, por dhe e snajperistëve mediatikë që vënë gjoba shumë të majme”, tha Xhaçka.

Më tej deputetja socialiste e quajti debatin për mandatin e saj si absurditet që kishte nisur sipas saj, “në ekranet e akuzave të qepura me porosi dhe në portalet e gjobave të vëna me babëzi”.

Xhaçka po ashtu pretendoi se Gjykata Kushtetuese e kishte shqyrtuar mandatin e saj. “Shqyrtoi provat reale, jo ato të gjyqeve të ekraneve politike,” u shpreh ajo duke iu referuar në fakt seancave gjyqësore që shqyrtuan përplasjen e kompetencave mes 1/10 së deputetëve dhe Kuvendit.

“Sot Kuvendi s’ka çfarë voton fare për mua, se çështjen time Gjykata Kushtetuese e ka pasur dhe e ka pushuar”, tha ajo.

Xhaçka mbante detyrën e Ministres së Jashtme në kohën kur Komiteti i Vendimeve Strategjike i drejtuar nga kryeministri Edi Rama miratoi statusin e “investitorit strategjik” për bashkëshortin e saj, Artan Gaçi, i cili po ndërton një hotel në Dhërmi. Më pas, përmes një vendimi qeverie hotelit iu dha e drejta e përdorimit afatgjatë të brigjeve të detit.

Xhaçka këmbëngul se nuk është në konflikt interesi dhe se nuk kishte përfituar asnjë centimetër tokë shtetërore dhe asnjë lloj përfitimi tjetër publik. Sipas saj, i vetmi përfitim nga ky status lidhej me kompaninë që në një të ardhme do të menaxhojë aktivitetin për sipërfaqen e plazhit para hotelit.

Opozita e akuzoi Xhaçkën se me mbrojtjen politike po tregonte se kishte frikë të përballej me verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, pasi ishte e vetëdijshme se do humbasë mandatin e deputetit.

“Ta vendosë drejtësia, pse fshiheni kaq shumë?”, e pyeti kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, duke shtuar “ditën që ky Kuvend gris vendimet e Gjykatës Kushtetuese për hatrin tënd dhe të burrit tuaj, ky nuk është më Kuvend, por katundi i Edi Ramës”.

Në janar të vitit 2023, Kushtetuesja duke i dhënë përgjigje një padie të deputetëve të PD-së rrëzoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të mos dërguar çështjen pranë kësaj gjykate dhe i kërkoi Kuvendit që të vendosë për të kundërtën.

Kushtetuta parashikon që asnjë deputet nuk mund të përfitojë të mira publike dhe se ai humbet mandatin në momentin që Gjykata Kushtetuese del në këtë përfundim.