Sport Messi sheh Marcelo Bielsën si “shpëtimtarin” e Barcelonës

Messi sheh Marcelo Bielsën si “shpëtimtarin” e Barcelonës

Lionel Messi kërkon bashkëkombësin e tij Marcelo Bielsa te Barcelona. Dështimet e njëpasnjëshme të Barçës, me sa kuptohet, e kanë shtrënguar 6 herë fituesin e “Topit të Artë” për të kërkuar ndihmën e strategut të mirënjohur argjentinas. Lajmi duhet ende të konfirmohet, megjithatë sipas tabloidit “The Sun”, 33-vjeçari nga Rosario iu ka kërkuar drejtuesve të klubit për t’ia besuar timonin e skuadrës pikërisht trajnerit veteran.

65-vjeçari, që ka lindur pikërisht në qytetin e Rosarios, është një ndër trajnerët më të ditur të botës së futbollit. Argjentinasi i famshëm ka shërbyer si burim frymëzimi për shumë e shumë trajnerë, ku më i spikaturi është Pep Guardiola, që e ka konsideruar Bielsën si trajnerin më të mirë në botë. Siç është bërë e ditur edhe në autobiografinë e argjentinasit në vitin 2006, Guardiola udhëtoi për plot 10.000 kilometra bashkë me shkrimtarin dhe regjisorin spanjoll David Trueba, për të takuar Bielsën në fermën e tij pranë Rozarios, një takim i mundësuar pikërisht pas ndërmjetësimit të Truebas dhe këmbënguljes së gjatë të katalanasit, që aspironte për t’i hyrë botës së trajningut.

Panik në Angli

Nëse është e vërtetë një kërkesë e tillë, pa dyshim do të mbjellë panik në radhët e drejtuesve të klubit anglez Leeds United. “The Whites” i detyrohen vërtet shumë veteranit argjentinas, pasi nën drejtimin e Marcelo Bielsës klubi nga Yorkshire Perëndimor u rikthye në Premier League pas plot 16 vjetëve.

Presidenti i Leeds United është biznesmeni italian Andrea Radrizzani, që është njëherësh edhe themeluesi i grupit Eleven Sports, platformë që merret me transmetimin e aktiviteteve të ndryshme sportive në Evropë dhe Azi, gjithsesi Marcelo Bielsa nuk ka rënë ende dakord për të rinovuar kontratën me klubin e mirënjohur anglez, madje kontrata aktuale e veteranit argjentinas përfundon pikërisht në javën e fundit të këtij muaji.

Në krahun tjetër, gjithçka mbetet e paqartë dhe drejtuesit e Barcelonës kanë nxjerrë plot 12 lojtarë në shitje. Shtypi katalanas ka spekuluar gjithashtu edhe me idenë se marrëdhëniet e kapitenit të Barçës dhe trajnerit Quique Settien janë përkeqësuar ndjeshëm. Problem përbëjnë gjithashtu edhe zgjedhjet e ardhshme të klubit, pasi presidenti aktual Josip Maria Bartomeu po përballet me kritika të ashpra nga të gjitha anët, për administrimin jo të mirë të situatës.

Presidenti i 40-të në historinë e klubit është në favor të emërimit të Xavit, ish-mesfushorit të famshëm të skuadrës blaugrana, në rolin e trajnerit, por 40-vjeçari nga Terrassa nuk është shumë i bindur se ky është pikërisht moment i duhur për t’u rikthyer te klubi i tij i zemrës.

Messi e njeh mirë Marcelo Bielsën

Sulmuesi argjentinas beson se trajneri veteran përfaqëson zgjedhjen e duhur për të frenuar rënien e menjëhershme që ka pësuar ekipi. Mënyra e lojës që parapëlqen 65-vjeçari nga Rozario mund t’i shkojë shumë për shtat stilit të Barçës, për më tepër, sipas “The Sun”, ka patur madje edhe takime ndërmjet palëve për të konkretizuar një marrëveshje konkrete.

65-vjeçari ka drejtuar në Spanjë Espanyolin dhe Athletic Bilbaon, sidoqoftë nga veterani nga Rosario janë frymëzuar shumë ish-lojtarë të tij apo dhe ish-futbollistë me emër argjentinas, si Diego Simeone, Gerardo Martino, Mauricio Pochettino, Matias Almeyda, Eduardo Berizzo, Mauricio Pellegrino, Santiago Solari, Jorge Sampaoli apo dhe Marcelo Gallardo, madje shumë prej emrave të mësipërm konsiderohen me të drejtë pikërisht si dishepuj të Bielsës.