Aktualitet Në Green Pass-in shqiptar edhe ata që kaluan Covid: SHBA pranon të...

Në Green Pass-in shqiptar edhe ata që kaluan Covid: SHBA pranon të vaksinuarit me Coronavac

Personat që do ta kalojnë Covid-19 do të mund të marrin edhe Green Pass-in, pasaportën e gjelbër që u mundëson të udhëtojnë në mjaft vende të huaja. Certifikata e shërimit nga Covid do të integrohet shumë shpejt në certifikatën e vaksinimit në Shqipëri, siç ndodh në shumë vende të Bashkimit Europian.

“Jemi duke punuar mbi procedurat që kjo certifikatë vijojë edhe me njohjen e certifikatës së shërimit. Jemi në këto procedura për të njohur dhe këtë cerfifikatë nga Bashkimi Europian. Kërkojmë kohën e duhur që të dhënat tona të përfshihen në sistemin e integruar të Bashkimit Europian”, tha për Tv Klan zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, e cila theksoi se vlefshmëria e certifikatës së shërimit do të ketë një afat 6 mujor.

“Nën 6 muaj të kalimit të sëmundjes sepse përtej 6 muaj kuptohet edhe nga vetë studimet bie imuniteti përkundrejt mbrojtjes nga Covid-19 nëse ne e kemi kaluar në mënyrë natyrale”.

Që prej Janarit kur nisi procesi i vaksinimi, popullsia shqiptare është vaksinuar me vaksinat Pfizer, AstraZeneca, Sputnik dhe Coronavac. Në Green Pass njihen Pfizer dhe AstraZeneca, ndërsa vende të ndryshme njohin edhe vaksinat ruse dhe kineze.

Së fundmi, duke filluar nga 8 Nëntori, SHBA do të lejojë udhëtimin edhe të qytetarëve shqiptare të vaksinuar me Sinovac, vaksinën e miratuar nga OBSH, por që ende nuk ka marrë miratimin e EMA.