Politika Rama dhe Meta takim me ministrin e Jashtëm të Kinës

Rama dhe Meta takim me ministrin e Jashtëm të Kinës

Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim Këshilltarin e Shtetit dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, Wang Yi.

Vizita e Ministrit Wang Yi është e para e një kryediplomati të Republikës Popullore të Kinës që prej vitit 2011.

Kjo vizitë përkon me 50-vjetorin e kthimit të Kinës në OKB, për të cilin Këshilltari i Shtetit dhe ministër i Punëve të Jashtme, Wang Yi, ka nënvizuar kontributin e veçantë të Shqipërisë, ndërsa ka përcjell falënderimet e mirënjohjen e qeverisë dhe popullit kinez.

Në kuadër të nismës së përbashkët “Një Brez, Një Rrugë”, Shqipëria ka nënshkruar me Kinën një memorandum që synon promovimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe tregtare, si dhe rritjen e investimeve dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke përmirësuar mekanizmin e bashkëpunimit për investime nën kuadrin e komisionit të përbashkët për bashkëpunim ekonomik ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Kinës.

Edhe presidenti Ilir Meta zhvilloi sot një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, Wang YI.

Presidenti Meta vlerësoi miqësinë tradicionale dhe marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve, si dhe shprehu dëshirën për t’i forcuar edhe më tej ato në të ardhmen.

“Zhvillimi i marrëdhënieve ekonomiko-tregtare, shkëmbimet në bujqësi, turizëm, kulturë dhe arsim janë fusha me interes dhe me dobi reciproke për vendet dhe popujt tanë”, nënvizoi Kreu i Shtetit gjatë takimit.

Presidenti Meta, duke theksuar rëndësinë e rolit të Shqipërisë, si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vitet 2022-2023, që përkon edhe me 50-vjetorin e anëtarësimit të RP të Kinës në OKB, e siguroi YI për bashkëpunim në funksion të forcimit të mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit kudo në botë.