Sport Nga Messi-Neymar te Braithwaite-Depay, çfarë shkoi keq me Barcelonën?

Nga Messi-Neymar te Braithwaite-Depay, çfarë shkoi keq me Barcelonën?

Në katër vitet e fundit, Barcelona është detyruar të shesë kampionët dhe të investojë mbi sulmues normalë. Më saktë mediokër. Gjithçka nisi me Neymar…

Sikur të mos kishte qenë mjaftueshëm traumatike lamtumira e Messit, heqja dorë nga Griezman ka kompletuar ridimensionimin e një Barcelone që shumë shpejt ka ndryshuar statusin e dikurshëm, nga një skuadër yjesh në një tokësore.

Joan Laporta po bën ç’është e mundur, pasi vetëm kur mori postin e Presidentit të Barçës, pranverën e kaluar, dhe kishte në dorë bilancet e klubit, e kuptoi se sa e thellë ishte kriza që kishte lënë Bartomeu. Është e pamundur të mos citohet emri i ish-presidentit “blaugrana”, nëse flitet për katastrofën ekonomike që ka tronditur Barcelonën.

Katastrofa- Gjithçka filloi në verën e 2017-ës, ose edhe pak muaj më parë, në momentin e rinovimit të kontratës së Neymarit. Braziliani, pasi rinovoi me katalanët, iu vetofrua PSG-së, që derdhi në arkat e “Camp Nout” shifrën rekord të 222 milionë eurove. Që aty, për Barçën gabime njëri pas tjetrit. Mund të përmblidhen shkurtimisht në gjysmë miliardi euro të shpenzuara për: Coutinhon, që u ble 150 milionë, Dembele 145 milionë dhe Griezman për 135 milionë euro. Për ta, ashtu si dhe për shokët e tyre të skuadrës, paga shumë të larta, që arritën të prekin kuotën e 80% të të ardhurave që Barcelona synonte t’i çonte mbi 1 miliard euro.

Ndoshta do t’i kishte dalë, nëse nuk do të kishte qenë pandemia, që hodhi në erë gjithçka, duke nxjerrë lakuriq një model ekonomik të papërshtatshëm.

Kriza- Këtë verë, para lamtumirave të Messit dhe Griezmannit, zëri i pagave kapte 105% të të ardhurave të Barcelonës, siç ka deklaruar vetë Laporta. Bartomeu kishte blerë keq, duke paguar shumë, dhe duke reaguar vakët, derisa u detyrua të jepte dorëheqjen për të evituar një shkarkim që ishte i sigurt dhe mund të kishte pasoja të rënda ligjore.

Në këtë mënyrë, nga Messi-Suarez-Neymar, MSN e famshme, tredhëmbëshi i triumfit të trefishtë në vitin 2015, pas vetëm 6 vitesh në “Camp Nou” ka kaluar te Braithwaite-De Jong-Depay. Me një sulm të tillë, të synosh Championsin, duket një guxim i tepruar. Laporta e di mirë, por nuk mund të bënte asgjë tjetër. Përqafimi i projektit të Superligës të Presidentit Perez dhe heqja dorë nga paratë e ofruara nga fondi CVC, duke i shkuar nga pas politikave të Realit të Madridit, janë shembuj të pozitës së vështirë financiare që kushtëzon lëvizjet e Laportas, që u votua si president për t’iu rikthyer sukseseve të epokës “Guardiola”, në periudhën e tij të parë si President i Barcelonës, por që tani i duhet të menaxhojë një situatë kursimesh të paprecedent në dekadat e fundit për Barçën.