Ekonomi Norma e interesit nuk ndryshon, Sejko e pranon: Forcimi i lekut po...

Norma e interesit nuk ndryshon, Sejko e pranon: Forcimi i lekut po humbet natyrshmërinë, mund të ndërhyjmë

Forcimi i lekut, sipas Guvernatorit Gent Sejko, ka bërë që Shqipëria të ketë një nga nivelet më të ulëta të inflacionit dhe rritjen më të madhe ekonomike në rajon. Ndalur të luhatjet në kursin e këmbimit, ai ka renditur disa arsye.

“Këshilli gjykon se forcimi i kursit të këmbimit i ka mundësuar ekonomisë shqiptare që të ketë një nga nivelet  më të ulët të inflacionit, të normave interesit dhe kostot e financimit si dhe një nga nivelet më të larta të rritjes ekonomike në rajon, por mbetemi të vëmendshëm ndaj  shpejtësisë së forcimit dhe luhatjes së kursit gjatë muajve të fundit. Remitancat, turizmi, investimet e huaja, pra këto tregojnë se kemi një forcim të kursit të këmbimit”, përfundoi kreu i Bankës së Shqipërisë.

Deri më tani, kjo luhatje, sipas Sejkos, nuk ka pasur dëmtim në tregun valutor apo stabilitetit ekonomik. Megjithatë, ai tha se luhatjet e kursit të këmbimit sidomos pas muajit korrik janë bërë më të forta, duke sinjalizuar mundësinë e ekzistencës së çrregullimeve në tregun valutor. Në rast se këto luhatje do të vazhdojnë, Banka e Shqipërisë mund të konsiderojë ndërhyrje të përkohshme për stabilizimin e tregut ose rritje të blerjeve të planifikuara të Euros për nevojat e rezervës valutore. Sipas tij, deri tani gjatë vitit 2023, Banka e Shqipërisë ka blerë 170 milionë euro në tregun e brendshëm valutor, kryesisht nëpërmjet ankandeve të planifikuara për rritjen e rezervës.

“Megjithatë, shpejtësia e forcimit të kursit mbetet e lartë dhe luhatjet në tregun valutor janë rritur. Këshilli Mbikëqyrës thekson Banka e Shqipërisë mbetet e vëmendshme ndaj shpejtësisë së forcimit dhe luhatjeve të shtuara të kursit të këmbimit gjatë muajve të fundit. Nëse zgjerohen më tej, këto fenomene mund të dëmtojnë funksionimin normal të tregut valutor, si dhe – potencialisht – objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetin financiar.  Nëse do të konstatohen këto premisa, Banka e Shqipërisë rezervon të drejtën të ndërhyjë në tregun e brendshëm valutor, në përmbushje të mandatit të saj ligjor,” thuhet në deklaratën e Këshillit Mbikëqyrës.

Pavarësisht rrezikut ende të pranishëm të inflacionit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankë së Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar në nivelin 3 për qind normën bazë të interesit për lekun.

Kursi i këmbimit Euro-Lek shfaqi një rënie të përshpejtuar gjatë muajit korrik, duke kulmuar me një minimum të ri historik prej 100.49 lekësh më datë 20 korrik.

Ndërkohë, në dy javët e fundit, kursi po alternon ngritje dhe ulje të forta në harkun e pak ditëve, që mund të jenë sinjal i një mosfunksionimi të mirë të tregut dhe i pranisë së mundshme edhe të sjelljeve spekulative.