Aktualitet Plagosi me thikë dy 18-vjeçarë në Tiranë, shpallet në kërkim 16-vjeçari

Plagosi me thikë dy 18-vjeçarë në Tiranë, shpallet në kërkim 16-vjeçari

Një plagosje me thikë ka ndodhur rreth orës 14:30 në rrugën “Asim Vokshi” në Tiranë.

Sipas Policisë, një 16-vjeçar ka plagosur me thikë dy të rinj për motive të dobëta. Ata ndodhen në kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën. Policia ka identifikuar dhe shpallur një 16-vjeçar, si autor të dyshuar të kësaj ngjarje.

Njoftimi i Policisë Tiranë

Plagosi me mjet prerës thikë dy shtetas të moshës 18 vjeç dhe u largua, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas informacioneve të marra se ditën e sotme, në rrugën “Asim Vokshi”, gjatë një konflikti, një shtetas kishte goditur me mjet prerës shtetasit A. M., 18 vjeç, dhe E. M., 18 vjeç, të dy banues në Tiranë, dhe më pas është larguar, kanë organizuar punën për identifikimin e tij. Në vijim të veprimeve hetimore të kryera u shpall në kërkim një 16-vjeçar, si autor të dyshuar të kësaj ngjarje.

16-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në rrugën “Asim Vokshi”, sot rreth orës 14:30, ka goditur me mjet prerës shtetasit A. M., dhe E. M., të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Vijon puna për kapjen e 16-vjeçarit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.