Bota Numër rekord viktimash në Gjermani në ditën e parë të lockdown-it

Numër rekord viktimash në Gjermani në ditën e parë të lockdown-it

Seriozitetin e gjendjes së pandemisë në Gjermani e bën të qartë një shifër: Zyrat e Shëndetësisë i kanë njoftuar Institutit Robert Koch 952 të vdekur në 24 orët e fundit. Shifra më e lartë deri më tani ka qenë në 598 vetë. Që nga fillimi i pandemisë në Gjermani kanë humbur jetën 23.427 vetë me ose nga Corona. Edhe numri i infektimeve të reja është shqetësues, vlera ditore arrin 27.728 vetë.

Për të kufizuar përhapjen e pakontrolluar të virusit, nga e mërkura në Gjermani hynë në fuqi kufizime të forta të jetës publike që u vendosën në fundjavë në takimin e kancelares Merkel me kryeministrat e landeve federale. Nga 16 dhjetori deri në 10 janar do të mbyllen të gjitha dyqanet, përjashtime ka për ato dyqane që janë të nevojshme për nevojat e përditshme. Shkollat mbyllen, dhe nuk ka detyrim për prezencë në shkollë. Kopshtet janë mbyllur dhe ofrohet kujdestari vetëm në raste nevoje. Edhe parukeri e shërbime të tjera mbyllen. Rregulla të forta vlejnë edhe për takimet private. Maksimumi lejohen të takohen 5 persona nga dy familje. Fëmijët deri në 14 vjeç nuk llogariten. Vetëm nga 24-26 dhjetor ka një rregullore të posaçme, ku lejohet që në rrethin familjar takime me katër vetë që vijnë nga familje të tjera. Megjithatë rregullat konkrete varen nga landet federale, që lëshojnë vetë rregulloret e posaçme të Coronës.

Autoriteti Europian i Mjekësisë, EMA bëri të ditur të martën, se parashikon të publikojë vlerësimin për vaksinën e firmës Biontech-Pfizer që të martën, pra tetë ditë para planifikimit. Formalisht këtë duhet ta miratojë edhe Komisioni Europian, por ky është një proces i shkurtër që mund të kryhet brenda një dite. Më pas mund të fillojë vaksinimi.