Aktualitet Operacion i SPAK/ Lëshohen 11 urdhër-arreste, në pranga Erzen Breçani, në kërkim...

Operacion i SPAK/ Lëshohen 11 urdhër-arreste, në pranga Erzen Breçani, në kërkim Ervin Mata

SPAK ka lëshuar 11 urdhër-arreste këtë të hënë për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal. Mësohet se deri më tani janë arrestuar disa prej tyre, ndër ta dhe punonjës të policisë.

Në kuadër të këtij operacioni është shoqëruar në polici edhe ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani. Ndërsa djali i tij Eralbi Breçani është shpallur në kërkim. Erzen Breçani akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe pastrim parash, ndërsa djali i tij për trafik droge dhe pastrim parash.

Po ashtu, është lëshuar urdhër-arresti edhe për Shefin e Krimeve në Komisariatin numër 6, Dedan Gjoni. Ndaj këtij të fundit janë ngritur disa akuza për vepra të rënda penale, një prej të cilave është ajo e sigurimit të kushteve për të kryer vrasje. Po ashtu bëhet me dije se mes të shoqëruarve janë edhe 7 punonjës të tjerë të Policisë.

Në kërkim është edhe biznesmeni Ervin Mata, një emër i njohur pas përplasjes që ka patur me bosin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj, në një lokal në ish-Bllok në vitin 2018.

Nga informacionet paraprake mësohet se kjo goditje nga SPAK është faza e dytë e operacionit “Metamorfoza”, i cili më parë ka zbardhur një sërë ngjarjesh kriminale ku u vunë në pranga disa efektivë policisë, një prokuror si dhe biznesmenë.

Gjithçka ka ardhur pas zbërthimit të mesazheve nga aplikacioni i koduar “SKY ECC”. Mësohet se mbi 11 të akuzuarit rëndojnë akuza për pastrim parash, grup i strukturuat kriminal, trafik droge, sigurim kushtesh për të kryer vrasje, shpërdorim detyre dhe përkrahje e autorit të krimit.