Bota Parlamenti i Bullgarisë miraton propozimin e Macron për heqjen e vetos ndaj...

Parlamenti i Bullgarisë miraton propozimin e Macron për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut

Asambleja Kombëtare e Bullgarisë ka miratuar propozimin e Presidencës Franceze të Këshillit të BE-së për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Kuvendi Kombëtar i Bullgarisë i dha mandat kabinetit që të miratojë propozimin francez për Maqedoninë e Veriut.

Ky është hapi i parë i marrjes së dritës së gjelbër për heqjen e vetos dhe nisjen e negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Eurodeputetët e miratuan propozimin francez me 170 vota pro dhe 37 kundër, ndërsa 21 abstenuan.

Projektvendimi që i hap rrugë fillimit të negociatave për anëtarësim të Shkupit do të kalojë për nënshkrim në Këshillin e Ministrave.

Parlamenti bullgar e hoqi veton me kushtin që sipas propozimit francez, Komisioni Evropian do të shërbejë si arbitër sepse tani procesi i anëtarësimit i RMV është i lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë.

Propozimi francez përmban disa pika të cilat janë: pakica bullgare duhet të përfshihet në kushtetutën maqedonase, asgjë në procesin qasës të mos interpretohet si pranim i gjuhës maqedonase nga Bullgaria, fqinjësia e mirë të mbetet kriter deri në fund dhe të shqyrtohet zbatimit i marrëveshjes për fqinjësi të mirë.

Ditën e djeshme, pas përfundimit të Samitit të BE-së në Bruksel, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ripërsëriti qëndrimin kundër propozimit të Macron.

Sipas Kovaçevskit, me mos heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, Bullgaria ka vendosur që të rikthehet në të shkuarën.

Bullgaria e ka bllokuar procesin e integrimeve për Maqedoninë e Veriut për shkak të kontestit mes dy vendeve për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike.