Bota “Peregrine One”, anija kozmike amerikane që ishte nisur drejt Hënës shkatërrohet mbi...

“Peregrine One”, anija kozmike amerikane që ishte nisur drejt Hënës shkatërrohet mbi Paqësor

Anija kozmike e nisur nga SHBA në hapësirë për të tentuar një ulje në Hënë, e la përgjysmë misionin e saj dhe u shkatërrua mbi Paqësor.

Peregrine One pësoi një defekt teksa ishte nisur drejt satelitit tonë natyror duke shkatërruar kështu çdo perspektivë për të kryer një ulje siç ishte parashikuar.

Gjendur përballë kësaj situate, ekipi nga Toka e futi mjetin fluturues në një proces vetëshkatërrimi.

Operatori privat, Astrobotic me bazë në Pittsburgh, e drejtoi anijen në atmosferën e Tokës në mënyrë që ajo të digjej. Më pas, një stacion gjurmimi në Canberra, Australi, konfirmoi se humbjen e sinjalit me Peregrine në orën 21:59.

Sipas ekipit, pak ose aspak mbetje të anijes kozmike pritet që të kenë rënë në sipërfaqen e oqeanit Paqësor. Dhe nëse do të kishte pasur mbetje, ato do të ishin larg çdo popullsie.

Astrobotic synonte që të dërgonte pesë instrumente të NASA-s në sipërfaqen e Hënës, për të studiuar mjedisin përpara kthimit të astronautëve,  më vonë gjatë kësaj dekade.

Nëse anija “Peregrine” do të ishte në gjendje të zbarkonte me sukses, do të ishte bërë misioni i parë amerikan në gjysmë shekulli që e bën këtë dhe sipërmarrja e parë private që ndërmerrte këtë iniciativë.

Vetëm agjencitë qeveritare nga SHBA, Bashkimi Sovjetik, Kina dhe India kanë arritur të bëjnë ulje të kontrolluara në Hënë deri më sot.