Kryesore “Poet i Ballkanit, rapsod i Europës”, Kadare dekorohet nga Macron me gradën...

“Poet i Ballkanit, rapsod i Europës”, Kadare dekorohet nga Macron me gradën “Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit”

Në një ceremoni në Pallatin e Brigadave, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron i ka dorëzuar shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare dekoratën më të lartë të Republikës së Francës “Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit”.

Në fjalën e tij, ai dha vlerësimet më të larta për veprat e Kadaresë, duke veçuar romanin “Pallati i Ëndrrave”, duke u shprehur se aty u pasqyruan ëndrrat e një populli të tërë.

“Kontribuat në zgjimin e madh të popujve që ngritën perden e hekurt”, iu drejtua Macron shkrimtarit.

“Të jeni i sigurt se vepra juaj nuk ka humbur asgjë nga vlera e saj, liria që i mbyllnin gojën ka pëshpëritje më të forta se britmat. Ka treguar atë që bashkon vendet tona në mënyrë të pandashme dhe e mbart kryeministri juaj me shumë talent, këtë dashuri për Europën. Për këtë rol si poet i Ballkanit, si rapsod i Europës, kam nderin sot t’ju ngre në gradën e Oficerit të Lartë në Urdhrin e Legjionit të Nderit. Zoti Ismail Kadare në emrin e Republikës Franceze ne u ngremë në rangun e Oficerit të Lartë të Legjionit të Nderit!”, theksoi Macron.

Nesër në orën 08:25, kreu i shtetit francez do të nisë takimet e tij bilateral, fillimisht me homologun Bajram Begaj e më pas me kryeministrin Edi Rama.

Vizita e tij zyrtare do të zgjasë dy ditë, 16 dhe 17 tetor.