Aktualitet Policja ndihmon vjehrrën e nënkomisarit për ushtrim prostitucioni, pezullohen të dy

Policja ndihmon vjehrrën e nënkomisarit për ushtrim prostitucioni, pezullohen të dy

Dy punonjës policie në Tiranë janë pezulluar nga detyra pasi janë konstatuar me shkelje në punë. E para është një 27-vjeçare operatore e kamerave ne sektorin e sallës se komandimit pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë, ndërsa i dyti është një 29-vjeçar me detyre specialist në seksionin e hetimit të aksidenteve rrugore në Komisariatin e Policisë Rrugore të Tiranës.

SHÇBA kishte vënë nën monitorim nën-komisarin 29-vjeçar dhe rezultoi se ky i fundit duke shpërdoruar detyrën, ndryshonte përgjegjësitë e palëve në rast hetimi aksidentesh.

Në vijim të hetimeve doli në pah se ai kishte bërë një shkelje akoma më të rëndë, duke ndihmuar vjehrrën që të ushtronte aktivitetin e prostitucionit në lokalin e saj.

Në këtë skemë nga hetimet e SHÇBA rezultoi se ishte përfshirë edhe kolegia e tij 27 vjeçe, me detyrë Operatore e Kamerave në Sektorin e Sallës së Komandimit.

Sipas njoftimit zyrtar, ajo njoftonte vjehrrën e kolegut për aksionet që organizonte policia, duke u bërë pjesë e shkeljes. Në kuadër të këtij hetimi u procedua penalisht edhe vjehrra 53-vjeçare e policit, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e saj në qytetin e Memaliajt, u gjetën 2 armë gjahu gjysmë-automatike dhe fishekë pa leje.

Në interes të thellimit të hetimeve të përfshirëve në këtë shkelje u janë sekuestruar 4 telefona celularë.