Bota Pompeo citon ish-presidentin Nixon: Bota nuk mund të jetë e sigurt derisa...

Pompeo citon ish-presidentin Nixon: Bota nuk mund të jetë e sigurt derisa Kina të ndryshojë

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo përshkroi se si marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës kanë shkuar nga një optimizëm i mbrojtur, siç ndodhi në epokën e administratës së Presidentit Nixon, në një “të vërtetë të vështirë”.

Sekretari Pompeo foli të enjten në Kaliforni në selinë e Fondacionit Nixon në Jorba Linda.

“(Ish-Presidenti) Richard Nixon kishte të drejtë kur shkruajti në vitin 1967 se ‘bota nuk mund të jetë e sigurt derisa Kina të ndryshojë.’ Tani ne duhet t’i dëgjojmë me vëmendje fjalët e tij”, tha Pompeo.

Sekretari Pompeo tha se “paradigma e vjetër e angazhimit të verbër me Kinën ka dështuar. Ne nuk duhet ta vazhdojmë atë. Ne nuk duhet të kthehemi tek ajo”.

Përkundrazi, “ne kemi nevojë për një strategji që mbron ekonominë amerikane dhe mënyrën tonë të jetesës. Bota e lirë duhet të triumfojë mbi këtë tirani të re”, tha ai.

Zoti Pompeo e kujtoi me respekt udhëtimin historik të ish-presidentit Nixon në Pekin gati 50 vjet më parë dhe filozofinë e tij se “ne thjesht nuk mund të përballojmë ta lëmë Kinën përgjithmonë jashtë familjes së kombeve … bota nuk mund të jetë e sigurt derisa të ndryshojë Kina. Kështu që, qëllimi ynë, deri në atë masë që ne mund të ndikojmë tek ngjarjet, duhet të jetë nxitja e ndryshimeve.”

Por, Sekretari Pompeo argumentoi se nga angazhimi që ish presidenti Nixon kërkonte Kina përfitoi më shumë sesa Shtetet e Bashkuara.

Mbyllet një konsullate amerikane në Kinë

Kina urdhëroi ambasadën amerikanë në qytetin perëndimor të Chengdu të mbyllej pas një konflikti diplomatik, në periudhën më të keqe të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kjo lëvizje erdhi si përgjigje e urdhërit të Trump për të mbyllur konsullatën kineze në Hjuston, pasi Uashingtoni akuzoi agjentët kinezë se po përpiqeshin të vidhnin studime mjekësore dhe kërkime të tjera në Teksas.

Marrëdhëniet midis Kinës dhe SHBA-së janë ftohur pas disa konfliktesh në lidhje me tregtinë, trajtimin e pandemisë së koronavirusit, teknologjinë, akuzat për përgjim, çështjen e Hong Kongut dhe pretendime për abuzime ndaj myslimaneve kinezë.

“Kjo masë e ndërmarrë nga Kina është legjitime dhe një përgjigje e nevojshme ndaj aktit të pajustifikuar amerikan”, shkruhej në deklaratën e ministrisë së jashtme kineze.

“Situata aktuale e marrëdhënieve midis Kinës dhe SHBA-së nuk është aspak ajo që Kina dëshiron të shohë. SHBA është përgjegjëse për të gjithë këtë situatë”, shkruhej më tej në deklaratë.

Të martën, administrata e Trump urdhëroi që konsullata kineze në Hjuston të mbyllej brenda 72 orësh me pretendimet se agjentët kinezë po përpiqeshin të vidhnin të dhëna shkencore nga sistemet mjekësore në Teksas.

Ministria e Jashtme kineze i hodhi poshtë këto pretendime duke i quajtur “shpifje dashakeqëse” dhe paralajmëroi se mbyllja e konsullatës në Hjuston do të “thyente urën e miqësisë” mes dy vendeve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një ambasadë në Pekin dhe në 5 qytete të tjera kryesore në Kinë.