Kryesore Rama: Nga e hëna gjithçka e hapur, përveç transportit dhe këtyre aktiviteteve

Rama: Nga e hëna gjithçka e hapur, përveç transportit dhe këtyre aktiviteteve

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se në këtë fazë të hapjes së vendit duhet të bëjmë shumë kujdes, pasi nëse numrat do të lëvizin do të jetë shumë problem.

Në një komunikim live në Facebook, kryeministri i vendit Edi Rama u shpreh se nëse numri i të infektuarve do të jetë si në këto dy ditët e fundit, do të jetë një problem.

“Lëvizja e numrave nëse do të vazhdojë të jetë kështu do të jetë një problem, prandaj përsëris që në këtë situatë, secili prej nesh është vendimtar, sjellja në raport me rregullat është deçizive sepse në kushtet e hapjes, nuk është për mua një çështje ekskluzive e policisë, shtetit, kontrolleve apo thjeshtë dhe vetëm e kornizës ligjore, por më shumë sesa të gjitha këto bashkë, çështje e vetëdijes dhe kontributit qytetarë. Jemi në një situatë kur është patriotizëm të mbrosh shëndetin tënd dhe të tjerëve”.

Rama tha se nga e Hëna, përveç transportit publik dhe aktiviteteve sportive e kulturore në ambiente të mbyllura, çdo gjë do të jetë e hapur.

“Vazhdoj dëgjoj sojin e papërgjegjshëm të atyre që i bien fyellit në atë vrimë si në fillim, duke thënë se s’ka virus, se kjo po bëhet për protesta e tjr., këto broçkulla t’i lëmë dhe të fokusohemi tek shkenca dhe nëse duam konfirmim t‘i referohemi burimeve ndërkombëtare të informacionit. Të mos merremi me llafe, jo kudo është hapur, vetëm Shqipëria kështu e ashtu… Ne nga e Hëna, përveç transportit publik, aktiviteteve sportive e kulturore në mjedise të mbyllura, nuk do kemi asgjë tjetër të mbyllur.  Transportin publik nuk e hapim dot, baret e restorante në ambiente ë mbyllura, palestra… gjithçka tjetër do të jetë e hapur, që do të thotë që ekspozimi do  të jetë shumë i madh, sidomos me baret e restorantet e kemi thënë shpesh, sepse është kaq e rrezikshme që të ulesh në një bar duke mos respektuar rregullat e protokollin. E kuptoj se protokolli e ruajtja e distancave mes tavolinave është një pengesë, sepse nuk mund të kesh aq tavolina sa ke pasur, por është një domosdoshmëri. Pra hapemi tërësisht”.

Kryeministri Rama tha se zonat që janë aktualisht të kuqe, do të vijojnë me masa kufizuese.

“E dyta, sigurisht që do të mbetemi besnik të numrave në përcaktimin e zonave të gjelbra dhe të kuqe dhe komiteti i ekspertëve sheh numrat dhe modeli i përcaktimit të zonave bazohet tek një sërë kompletesh. Nuk është aspak çudi që një zonë e gjelbër të kthehet në të kuqe nëse ka lëvizje të numrave, apo një zonë e kuqe të kthehet në zonë të gjelbër. Ju lutem shumë lërini broçkullat për kotësinë e gjithë kësaj, për faktin se ky mundim i madh ishte i tepërt se nuk ndodhi gjë… sepse nuk ndodhi gjë pikërisht se morëm këto masa. Shikoni pak, hapemi dhe fillojnë rritjet e numrave, kjo është reale nuk është lojë, nuk është shpikje e mendjeve djallëzore siç thonë ca gjithologë që s’kanë diplomë…. Dëshiroj ta bëj të qartë se në kushtet e zonës së kuqe do të vazhdojmë me kufizime… Fashat e orareve mbahen sepse kanë rol në dekurajimin e daljeve të tepërta dhe quhen të tepërta daljet që s’janë të domosdoshme kur ti je në zonë të kuqe, këto zona vazhdojnë në mbrojtje, por me hapje relative. Nëse nuk kemi fashën orare atëherë si në zonat e gjelbërta dhe të kuqe, baret dhe restorantet duhet të rrinë hapur dhe pastaj stimulojmë gjëra që nuk mund të stimuluar në këto moment. Ashtu dhe kufizimi i daljeve në fundjavë duhet pikërisht për këtë”.