Kryesore Rama paralajmëron “pedagogët problematikë” se do të vendosen me shpatulla pas muri

Rama paralajmëron “pedagogët problematikë” se do të vendosen me shpatulla pas muri

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me studentët e Universitetit “Fan Noli” në Korçë, paralajmëroi se të gjithë pedagogët problematikë do të vendoset me shpatulla pas muri.

“Pedagogët problematikë do të vendosen me shpatulla pas muri, ndërsa pedagogët e ndershëm dhe profesionistë që janë shumica, unë e kam bindje këtë nuk e them për propagandë, do të shpëtojnë një herë e mirë nga përzierja e të njomit me të thatin dhe trajtimi i të gjithëve njësoj si këmbët e dhisë.

Katranjosësit janë të interesuar që të gjithë të jenë si këmbët e dhisë. Të paaftët dhe injorantët janë gjithmonë të interesuar t’i bëjnë të gjithë njësoj, se kështu kanë statusin e të qenit të barabartë. Këtë e shikon kudo, në politikë, në jetë, në shkollë e kudo.  Kur vjen puna tek arsimi dhe universiteti kësaj duhet ti vëmë fre që të kemi një rritje cilësore të Universitetit”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë tha se një herë në vit, studentët do të bëjnë vlerësimin e pedagogëve me metoda si i ka gjithë bota.

“Janë mbledhur disa pedagogë që deklamojnë gjëra të mëdha, kërkojnë abrogimin e ligjit, kërkojnë disa gjëra dhe thonë të ndalet denigrimi i profesoratit.  Kush po e denigron profesoratin?

Në fakt nuk është ky thelbi, thelbi është të ndahen pedagogët e nderuar dhe të respektuar nga sharlatantët, të cilët janë një ndër simptomat më domethënëse të sëmundjes që ka universiteti”, përfundoi kryeministri.