Kryesore Rama paralajmëron Vuçiç: Do të rikthehet akulli mes nesh nëse nuk lirohen...

Rama paralajmëron Vuçiç: Do të rikthehet akulli mes nesh nëse nuk lirohen 3 policët e Kosovës

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar Serbinë për ngrirje të marrëdhënieve dypalëshe me Shqipërinë nëse nuk lirohen 3 policët e Kosovës të rrëmbyer javën e kaluar.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama kërkon lirimin e 3 policëve, duke theksuar se nuk kanë kryer asnjë krim.

Mbajtja e tyre sa më gjatë në paraburgim, thekson Rama, aq më shumë hapa mbrapa do të bëhet në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë.

“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen”.

Rama i bën thirrje dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të qetësohet situata në veri dhe të pranojë rekomandimet e ndërkombëtarëve. Sa më shumë të agravohet kjo situatë, thekson Kryeministri, do të jetë KFOR-it që do të marrë kontrollin e situatës në veriun e vendit.

“Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës!

E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon”!