Politika Rama: Përgjigjja ime për ata që thonë se nuk e dua Shkodrën

Rama: Përgjigjja ime për ata që thonë se nuk e dua Shkodrën

Nga Shkodra, ku zhvilloi takim në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, kryeministri Edi Rama iu ktheu përgjigje zërave kritike që thonë se nuk e do këtë qytet.

“Ka njerëz që mendojnë nuk ja japim votën Edi Ramës. Unë po flas për ata që e shohin këtë si luftë politike. Kandidatin e kemi më shumë blu por nuk kemi problem ne me këtë fare. 3 mandate e kam treguar që s’i ma leni si s’ma leni ju unë këtu jam. Por atyre që thonë Edi Rama s’e do Shkodrën, ju them që ka shumë më tepër gjasë që Shkodrën ta dua unë se sa ata që ju vijnë çift këtu që s’kanë asnjë lidhje me Shkodrën se unë të paktën një pjesë të gjakut e kam nga Shkodra, e kam nga një gjyshe që më ka rritur edhe gjaku nuk bëhet ujë”.

Kryeministri foli për një potencial ekonomik që ka Shkodra, e sipas tij, nuk po shfrytëzohet nga bashkia e drejtuar prej demokratëve.

“Unë s’kam si mos ta dua Shkodrën sepse unë e di shumë mirë që këtu është një nga forcat e fjetura të ekonomisë shqiptare. Unë mendoj që nëse e zgjojmë këtë forcë ekonomie që ka Shkodra, nuk i bëhet mirë vetëm Shkodrës, i bëhet mirë gjithë ekonomisë shqiptare. Këto janë përralla që i hanë ata që duan t’i hanë dhe s’duan të logjikojnë. Po dhe stadiumin e Shkodrës unë e bëra për tifozët e Vllaznisë”. 

“Shkodra, e vetmja bashki e mbuluar nga plehrat”

Rama akuzoi Bashkinë e Shkodrës të drejtuar nga demokratët se nuk po pastron qytetin dhe kazanët janë të mbuluar nga plehrat.

Në takimin elektoral në Shkodër ku kërkoi votën e qytetarëve për kandidatin socialist Benet Beci, Rama përmendi edhe shembullin e Bogës së pastër, ndërsa Thethi që drejtohet nga demokratët, sipas tij është me plehra.

“Pse në Theth sheh plehra, ndërsa në Bogë nuk shesh? Sepse në Bogë është një kryetar bashkie i joni ndërsa në Theth është një kryetar bashkie që nuk ka lidhje me kulturën tonë të punës, nuk ka lidhje me kulturën tonë të menaxhimit. Në 31 vjet ata të cilët këtu në Shkodër nuk e kanë krijuar dot një shembull në një bashki të Shqipërisë që dinë ta marrin një qytet, një fshat, një zonë nga këtu e ta ngjisin këtu.

Shkodra është e vetmja bashki ku kazanët e plehrave mbulohen nga plehrat. Po vazhdojmë ta ngrenë nivelin mjedisor të Shqipërisë në një nivel që ka s’ka qenë kurrë. Në Shkodër është e pamundur”, u shpreh Rama.

“Kemi bërë për Shkodrën më shumë se ata që drejtojnë Bashkinë”

Rama përmendi edhe investimet që qeveria ka bërë në këtë qark. Kryeministri akuzoi Bashkinë e Shkodrës të drejtuar nga demokratët se po bllokon projektet në këtë qytet.

“Më vjen për të qeshur kur dëgjoj që ne nuk kemi bërë asgjë për Shkodrën. Ne nuk kemi bërë shumë për Shkodrën, por kemi bërë më shumë se ata që drejtojnë Shkodrën. Kur unë kam ardhur si Kryeministër në Shkodër në fillim, kam dëgjuar që bëni rrugën Shkodër-Velipojë dhe e keni kryer detyrën kryesore. Rruga është bërë dhe e ka bërë qeveria jonë, nuk e ka bërë ajo qeveria tjetër. Rruga për në Theth është bërë, sot shkon me rrugë deri në qendër të Thethit. E ka bërë qeveria jonë. Rrugën Shëngjin-Velipojë po e bëjmë ne. Në të trija këto raste Bashkia e Shkodrës na ka nxirë jetën për letra për shpronësime. Asgjë tjetër nuk kemi nevojë sepse këto janë rrugë për të cilat nuk i marrim leje bashkisë”.

Rama foli për disa projekte ku duhet dhe leja e Bashkisë së Shkodrës, sipas të cilit, puna ka ngecur pikërisht nga administrata bashkiake. Një ndër to është edhe ujësjellësi i Shirokës.

“Aty ku duhet leja e bashkisë ndodh ajo që ndodh aktualisht me dy projekte siç është ujësjellësi i Shirokës, ujësjellat nuk po ndërtohen se nuk na jep leje ndërtimi Bashkia Shkodër. Unë mesa jam informuar, demokratët sado fanatikë që të jenë ujin e pinë pa ngjyrë. Dhe nuk kam dëgjuar që demokratët e duan ujin blu ose rrinë pa ujë. Bashkia e Shkodrës i lë pa ujë akoma edhe ata të Shirokës edhe ata të Zogajt.

Projekti tjetër, në të gjitha bashkitë kemi filluar projekt për eficencën energjetike dhe financojmë pallate banimi që vishen me kapotë dhe kanë një hidroizolim shumë më të mirë se pallatet e zakonshme. Janë 5 apo 6 të tjerë si ky që nuk fillojmë dot punën. Ne kemi bërë çfarë kemi mundur jo çfarë kemi dashur për Shkodrën, dhe çfarë kemi mundur ato që janë pa Bashkinë.

Në Bashkinë e Shkodrës kanë hyrë njerëz që i ka zgjedhur partia dhe jo njerëz që kanë menduar se si të vënë në dispozicion bashkinë për ta bërë Shkodrën ashtu siç duhet të ishte”, u shpreh Rama.