Bota Rihapja e kujdesshme e Italisë, pushimet do të bëhen, por me masa...

Rihapja e kujdesshme e Italisë, pushimet do të bëhen, por me masa sigurie

Libraritë dhe dyqanet me veshje për fëmijë u lejuan të rihapen në disa rajone të Italisë, e megjithatë autoritetet po tregohen tejet të kujdesshme, sa i përket lehtësimit të masave kufizuese. Disa qepena u ngritën në lagjen “Trastevere” në Romë të martën, pas dezinfektimit të dyqaneve, e megjithatë rrugët vijuan të ishin kryesisht të shkreta.

Qytetarët e mbështesin qasjen e përmbajtur të qeverisë. “Mendoj se gjëja e duhur është të shmanget çdo mundësi për përhapjen e virusit. Natyrisht jeta normale duhet të rifillojë, por pa harruar se rreziku është shumë i lartë”, thotë Fabio Cappaccioni, banor i Romës.

Në Lombardi, rajoni më i prekur nga pandemia, masat vazhdojnë të jenë të shtrënguara. Autoritetet lokale në disa zona kanë vendosur të shtyjnë hapjen e librarive, deri në fund të muajit. Në Veneto, banorët mund të dalin me maska dhe doreza, vetëm për të kryer nevoja të autorizuara. Faza e dytë, kur është parashikuar rihapja e sektorëve të tjerë jo të domosdoshëm, përfshirë atë të modës, besohet se mund të nisë pas 3 majit, e megjithatë nën një protokoll të rreptë sigurie.

Për shkollat, shtatori vlerësohet si afati më i mundshëm për rihapje, ndërsa sa i përket pushimeve të verës autoritetet sigurojnë se italianët do të mund të shkojnë në det. Po konsiderohet mundësia e një distance prej 3 metrash largësi mes çadrave dhe ajo e përdorimit të barrierave prej peçikllasi. Italia raportoi 566 viktima të reja nga Covid-19 të hënën, më shumë se një ditë më herët kur ishin 431. Megjithatë numri i të infektuarve u ul sërish, me 3153 raste ne 24 orë.