Sport Ronaldo: Kurrë nuk e kam parë Messin si rival

Ronaldo: Kurrë nuk e kam parë Messin si rival

Cristiano Ronaldo ishte protagonisti kryesor i fitores së Juventusit ndaj Barcelonës në “Camp Nou”. Portugezi kontribuoi me një dopietë penalltish për të siguruar vendin e parë në grupin e Ligës së Kampionëve. Përveç kësaj, CR7 tregoi lumturinë dhe emocionin e tij për t’u kthyer në Spanjë, përveç përballjes së radhës e të famshme me Leo Messi. Ai dha këtë intervistë për “Movistar +”.

Duarplot – “Shumë mirë, ne jemi shumë të lumtur. E dinim që ishte një mision pothuajse i pamundur, të vinim në ‘Camp Nou’ dhe të shënonim tre gola… Ne luajtëm mirë. Çelësi i lojës ishte besimi, në 30 minutat e para ishim 0-2. Nga aty besuam se ishte e mundur”.

“Injeksion” për Juven – “Po, mund të jetë një injeksion besimi. Na duhej një fitore si kjo, kundër një ekipi të shkëlqyer si Barça, pavarësisht nëse ajo po kalon një kohë të keqe. Kjo është arsyeja pse do të na japë më shumë besim. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme ta ndiejmë këtë dhe të vazhdojmë rrugën tonë”.

Araújo thotë se nuk ishte penallti – “Nuk e di, nuk e kam parë televizor, por futbolli është i tillë. Ndonjëherë ka penallti inekzistente, ndonjëherë e kundërta. Gjyqtarët japin vendime dhe unë nuk dua të hyj atje. Puna e gjyqtarit është e komplikuar, por nëse ai ka dhënë, i është dukur penallti. Sidoqoftë, kur shënon tre gola në ‘Camp Nou’, nuk ka dyshim se kush e meritonte vendin e parë në grup”.

Messi – “Unë gjithmonë kam pasur një marrëdhënie shumë të përzemërt me të. Siç thashë, ndajmë 12, 13 ose 14 vite ceremoni çmimesh me të. Nuk e kam parë kurrë si rival. Ai gjithmonë përpiqet të bëjë atë që është më e mira për ekipin e tij dhe ekipin kombëtar, edhe unë gjithashtu. Gjithmonë kam shkuar shumë mirë me të. Nëse e pyet, ai do të përgjigjet njësoj. Ne e dimë që në futboll nevojitet rivaliteti për të pasur entuziazmin e duhur. E shoh si gjithmonë. Barcelona po kalon një kohë të vështirë, por është ende Barça. Jam i sigurt që do ta kalojë këtë periudhë të keqe. Të gjitha ekipet kalojnë një periudhë të keqe si kjo”.

Kush është GOAT – “Nuk mendoj për këtë. Ne fituam, jam i lumtur, e mbyllëm të parët në grup dhe dua të vazhdoj kështu. Unë dua të jem i përgatitur për betejat e mëdha”.