Bota Shi artificial për të luftuar ndotjen

Shi artificial për të luftuar ndotjen

Në Pakistan u testua për herë të parë shiu artificial. Disa helikopterë fluturuan mbi dhjetë zona të Lahores, një nga qytetet më të ndotura në botë, për të ngarkuar retë me shi.

Eksperimenti i parë i këtij lloji në vendin e Azisë Jugore u financua nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Emiratet e Bashkuara Arabe po e përdorin gjithnjë e më shumë këtë risi për të krijuar shi në hapësirën e thatë të vendit.

Modifikimi i motit përfshin lëshimin e kripës së zakonshme – ose një përzierje kripërash të ndryshme – në re.

Kristalet nxisin kondensimin dhe si pasojë formimin e shiut.

Një praktikë e tillë është përdorur në dhjetëra vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe Indinë.

Edhe shiu shumë modest është efektiv në uljen e ndotjes, thonë ekspertët.

Ndotja e ajrit është përkeqësuar në Pakistan vitet e fundit, pasi një përzierje e tymit të naftës me cilësi të ulët, tymit nga të korrat sezonale që digjen dhe temperaturat më të ulëta të dimrit bashkohen në retë e ndenjura të smogut.

Lahore vuan më së shumti nga smogu toksik, të cilin e thithin më shumë se 11 milionë banorë gjatë stinës së dimrit.

Nivelet e ndotësve PM2.5 — mikrogrimcat që shkaktojnë kancer pasi hyjnë në qarkullimin e gjakut përmes mushkërive – ishin kësaj jave më shumë se 66 herë më shumë se norma e përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Thithja e ajrit helmues ka pasoja katastrofike për shëndetin.

Ekspozimi i zgjatur mund të shkaktojë goditje në tru, sëmundje të zemrës, kancer të mushkërive dhe sëmundje të frymëmarrjes, sipas OBSH-së.