Aktualitet Shkon në 42 numri i rasteve me koronavirus në Shqipëri

Shkon në 42 numri i rasteve me koronavirus në Shqipëri

Në 24 orët e fundit janë shënuar 4 raste të reja me COVID-19 në vendin tonë. Zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli njoftoi këtë të diel se u testuan gjithsej 24 persona të dyshuar, qytetarë dhe personel shëndetësor.

Katër rastet e reja e çojnë numrin e të infektuarve me koronavirus në Shqipëri në 42. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri në këto momente janë testuar në total 532 raste të dyshuara.

Zv/ministrja njoftoi se 17 persona janë të shtruar në Spitalin Infektiv. Ata janë pacientë nga Tirana, Durrësi, Fieri, Lushnja dhe Rrogozhina. Tre prej tyre janë në terapi intensive, një 66-vjeçar nga Lushnja dhe një 61-vjeçare nga Fieri dhe një 50-vjeçar nga Tirana. Njëri prej tyre paraqitet në gjendje më të rënduar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavijon është e stabilizuar.

Në Institutin e Shëndetit Publik janë testuar deri në këto momente 17 persona personel shëndetësor që kanë pasur kontakt me të sëmurin e identifikuar me COVID-19 në spitalin “Shefqet Ndroqi”, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin Infektiv. Rezulton se 2 prej tyre kanë rezultuar pozitivë.

Ata janë pa simptoma, në gjendje të mirë shëndetësore dhe ndodhen të vetëizoluar. Zv/ministrja tha se po zhvillohet një hetim epidemiologjik për këto raste.

Zv/ministrja i bëri thirrje qytetarëve që paraqiten në spitale që të njoftojnë personelin shëndetësor nëse kanë udhëtuar jashtë shtetit, nëse kanë familjarë ose të afërt që kanë udhëtuar jashtë shtetit apo kanë pasur kontakt me persona që kanë shenja të sëmundjes.

“Ju lutem bashkëpunoni me mjekët dhe me autoritetet! Sot është detyrim që ne të mbrojmë personelin shëndetësor duke treguar ndërgjegje të lartë në raport me të vërtetën, atë që secili prej nesh duhet të bëjë: Shmangni vajtjet direkte në spitale”, tha Rakacolli.