Bota Shtohen të prekurit me Covid-19, rikthehet izolimi në një rajon në Gjermani

Shtohen të prekurit me Covid-19, rikthehet izolimi në një rajon në Gjermani

Autoritetet e rajonit gjerman te Renanisë Veriore-Vestfali rikthejnë masat e kufizimi, pas shpërthimit të rasteve me koronavirus në një fabrikë të përpunimit të mishit.

Mbi 1500 punonjës të fabrikës Tonnies kanë rezultuar pozitiv. Drejtuesi i landit Armin Laschet tha se masat parandaluese në distriktin e Gütersloh, ku jetojnë 360 mijë vetë, do të zgjasin deri në 30 qershor. Ky është hapi i parë i këtij lloji që kur shteti i vlerësuar për menaxhimin e krizës shëndetësore, nisi zbutjen e kufizimeve.

“Qëllimi është të qetësohet situata dhe të shtohen testimet për të parë nëse virusi është përhapur përtej punonjësve të fabrikës, në popullsinë e gjerë. Lokalet, kinematë, muzetë, palestrat dhe monumentet do të jenë të mbyllura”, u shpreh Armin Laschet, kryeministër i Renanisë Veriore-Vestfali.

Restorantet do t’i rikthen shërbimit “take a way”, e do të hyjnë sërish në fuqi masat e distancimit social. Autoritetet e cilësojnë shpërthimin e rasteve në fabrikën e përpunimit të mishit si incidentin më të rëndë të infektimit në vend. Të gjithë punonjësit e impiantit të prekur do të vendosën në karantinë të detyruar, nën mbikëqyrjen e forcave të rendit. Një gardh metalik është vendosur rreth strukturës dhe ushqime po shpërndahen për më shumë se 7 mijë personave që punojnë atje.

Kjo nuk është e vetmja vatër e re e koronavirusit në Gjermani. Një bllok apartamentesh u vu nën karantinë në qytetin e Gotingn dhe policia u mobilizua për të garantuar respektimin e masave, pasi disa banorë u përpoqën të dilnin me forcë. Kreu i Institutit të Shëndetësisë Publike, Lothar Wieler tha se vendi rrezikohej nga një valë e dytë infektimesh, por shprehu optimizëm se do ta parandalonin atë.