Aktualitet Si u ndoq dhe u vra Iljaz Çali te mbikalimi i Rinasit,...

Si u ndoq dhe u vra Iljaz Çali te mbikalimi i Rinasit, dyshohet se nuk ishte vetëm në makinë

Një atentat i mirë menduar ndodhi mbrëmë, në terrin e rrugës dytësore të autostradës Tiranë-Durrës, pranë Rinasit. Rreth orës 22:30, 37-vjeçari Iljaz Çali po shkonte drejt banesës së tij në Rinas, por një mjet i preu rrugën duke e qëlluar me breshëri kallashnikovi. Dyshohet se autori/ët e këtij krimi ka ditur çdo lëvizje të viktimës, madje e ka ndjekur atë nga pas.

Në afërsi të mbikalimit të Rinasit, është hapur zjarr ndaj makinës tip “Land Rover” me të cilën udhëtonte Iljaz Çali. Në momentin që i ‘prenë’ rrugën, Çali mendohet se i është kundërpërgjigjur pasi trupi i tij është gjetur jashtë mjetit, ndoshta dhe në tentativë për t’u ikur ekzekutorëve.

Ndaj makinës së viktimës është qëlluar rreth 100 metra në lëvizje, e më pas mendohet se ai ka dalë nga mjeti dhe ka shtënë po ashtu me armë zjarri.

Çali u qëllua me 6 plumba, duke humbur jetën nga plagët e marra.

Nuk përjashtohet mundësia që në mjet të ketë qenë edhe një person tjetër, për shkak se dera e pasagjerit ka qenë e hapur, megjithatë mund të ketë ndodhur që dera është hapur edhe për shkak të impaktit të përplasjes me bordurën. Kjo mbetet për t’u sqaruar nga grupi hetimor.

Deri më tani një prej pistave që po heton Policia dhe Prokuroria e Tiranës është përplasja për minierat e kromit. Çali prej janarit 2011 disponon 50% të aksioneve në kompaninë Çali-Metal, ndërsa gjysmën tjetër të biznesit e ka vëllai i tij, Zeqir Çali.

Po ashtu, i riu ka qenë një prej miqve më të ngushtë i Gjin Nikës, i vrarë në vitin 2014 po ashtu si pasojë e përplasjes së grupeve për galeritë në Bulqizë. Megjithatë 37-vjeçari dyshohet se mund të jetë përfshirë edhe në botën e drogës, pasi në vitin 2018 u dënua pasi në banesë iu gjetën 682 rrënjë kanabis.

Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po bën krehjen e zonës për të kapur autorët, të cilët dyshohet se janë larguar dje në drejtim të Lezhës, megjithatë po zhvillohen kontrolle edhe në Durrës, Elbasan e Lezhë për kapjen e autorëve