Aktualitet SPAK dërgon për gjykim të arrestuarit për trafik kokaine në Spanjë

SPAK dërgon për gjykim të arrestuarit për trafik kokaine në Spanjë

SPAK ka dërguar për gjykim shtetasit Arjan Ndoci, alias Ardian (Ardjan) Noka, alias Dritan Gradica dhe Julian Deblini (Bedlini) alias Julian Gjoka (të arrestuar në flagrancë në Spanjë duke trafikuar 788 kg lëndë narkotike të llojit “kokainë”, si dhe i janë sekuestruar 1 250 000 euro “cash” nga autoritetet spanjolle të drejtësisë), të cilët kanë kryer aktivitet kriminal të trafikimit të narkotikëve, nga i cili janë gjeneruar shuma të mëdha të ardhurash.

Këto shtetas, me anë të personave të tjerë dhe veprimeve fiktive, kanë fshehur dhe mbuluar origjinën e paligjshme të pasurive duke investuar në sektorë ekonomik, duke krijuar shoqëri apo blerë dhe shitur pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme. Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.72/2019 dhe veprës penale të pastrimit të parave, janë sekuestruar në Shqipëri, si produkt i veprës penale, pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme si më poshtë:

Pasuri të paluajtshme të ndodhura në Tiranë:

-8 apartamente, me sipërfaqe totale 905 m2;

-2 njësi shërbimi (lokale), me sipërfaqe totale 280 m2;

– 4 garazhe, me sipërfaqe totale 60 m2;

Pasuri të luajtshme:

-3 automjete;

– 4. 645.700 lek në llogari bankare;

– 7. 435 euro në llogari bankare.

Në përfundim të hetimit shtetasit Arjan Ndoci alias Ardian (Ardjan) Noka alias Dritan Gradica dhe Julian Deblini (Bedlini) alias Julian Gjoka janë akuzuar për kryerjen e veprave penale “Fallsifikimi i dokumentave”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, dhe dosja është dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.