Aktualitet Ushtarak, inxhinier dhe piktor: 3 shqiptarët kapen me 300 mijë paund drogë...

Ushtarak, inxhinier dhe piktor: 3 shqiptarët kapen me 300 mijë paund drogë në Angli

Glen Xhaferri, Redjon Murati dhe Anis Plaku

Mediat britanike kanë dhënë detaje nga arresti dhe burgosja e 3 shqiptarëve. Ata u vunë në pranga pasi u sulmuan nga persona të armatosur dhe maskuar në 27 shkurt të këtij viti.

Glen Xhaferri, 26 vjeç, Redjon Murati, 28 vjeç dhe Anis Plaku, 29 vjeç u paraqitën në spital pasi u dhunuan.

Policia nisi hetimet dhe gjeti makinën e tyre Audi A5 të braktisur brenda së cilës u zbuluan 84 mijë paund në një çantë të zezë në sedijen e pasme. Kjo zgjoi dyshime ndaj policia shkoi në banesën ku ata jetonin, një shtëpi 1-katëshe me 3 dhoma gjumi në Highgate Road në Queensbury.

Aty policia gjeti 16 pako me kanabis, secila me peshë 1 kg. Vlera e drogës në treg llogaritet mbi 151 mijë £. Në një nga dhomat e gjumit që besohet se është e Xhaferrit për shkak të kartave bankare dhe ilaçeve në emër të tij u gjetën në një garderobë rreth 35 mijë £ cash. Policia gjeti aty edhe celularë dhe pajisje anti-përgjim.

Kur u morën në pyetje pas arrestimit, Zhaferri mohoi të dinte gjë për paratë e gjetura në makinë dhe banesë ndërsa nuk bëri komente për kanabisin. Të njëjtën gjë tha dhe Murati duke shtuar se ai flinte në sallon dhe dy të tjerët përdornin dhomat e gjumit. Avokati i Xhaferrit tha se ai është një shqiptar me “karakter të mirë” që ka marrë diplomë në inxhinieri në Shqipëri.

Sipas tij ai shkoi në Mbretërinë e Bashkuar duke kërkuar punë, por pati vështirësi për shkak të statusit të tij si imigrant. Pasi u deklarua fajtor, ai kërkoi falje. Ndërsa avokati mbrojtës i Redjon Muratit tha se klienti i tij kishte mbërritur në këtë banesë vetëm ditën e arrestimit pasi sapo ishte liruar nga paraburgimi në Skoci.

Avokati tha se ai emigroi për shkak të varfërisë dhe se profesioni i tij ishte piktor dhe dekorues. Edhe ai u shfaq i penduar para gjykatës. Ndërsa Anis Plaku kishte pasur një karrierë si ushtarak në Shqipëri. Ai kishte shërbyer për 5 vjet në Afganistan dhe pas shërbimit kishte përfituar vizë udhëtimi për në Mbretërinë e Bashkuar.

Ai kishte punuar disa kohë në një lavazh dhe në ndërtim përpara se të përfshihej në jetën e krimit. Avokati i tij mbrojtës tha se ai dëshiron të kthehet në atdhe me partneren e tij meksikane. Avokatët thanë se shqiptarët nuk kishin role të larta në trafikun e drogës.

Në përfundim gjykata i dënoi Glen Xhaferrin dhe Anis Plakun me nga 4 vjet burg për posedim dhe trafik droge si dhe pastrim parash. Ndërsa Redjon Murati u dënua me 2 vjet e 3 muaj burg për drogën e gjetur.